Transportonte kamionin me kokainë nga Maqedonia e Veriut në Portin e Durrësit, shpallet fajtor dhe dënohet me burg 42-vjeçari

Shqipëria

Transportonte kamionin me kokainë nga Maqedonia e Veriut në Portin e Durrësit, shpallet fajtor dhe dënohet me burg 42-vjeçari

Më: 12 mars 2023 Në ora: 16:24
Nazif Ajroski

Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 8 vjet heqje lirie, Nazif Ajroski 42 vjeç mbi të cilin rëndojnë dy akuza.

Mësohet se shtetasi maqedonas është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të  “Trafikimit të lëndëve narkotike”, e mbetur në tentativë. Për këtë vepër penale ai është dënuar me 12 vjet burgim.

Ndërsa për veprën penale të “Grupit të strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal është dënuar me 2 vite burgim.

Por bazuar në nenin 406 të Kodit të Procedurës Penale Nazif Arjoski përfitoi nga gjykimi i shkurtuar duke u vendosur dënimi prej 8 vitesh burg.

Shoferi Ajroski u arrestua në 18 Qershor të 2021 në Portin e Durrësit në drejtimin e një kamioni të nisur nga Maqedonia e Veriut i ngarkuar zyrtarisht me hekur, brenda të cilit u gjetën dhjetëra pako me kokainë.

Ato kishin paketime të ndryshme dhe  logo si “Dior”, “Chicago Bulls”  apo edhe “PSG”.

Për këtë hetuesit dyshojnë se shtetasi maqedonas do e dërgonte lëndën narkotike në Itali ku dhe më pas do ta merrnin porositës të ndryshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat