Gazetari: Në polici janë rikthyer në poste drejtuese persona që kanë lidhje me grupet kriminale dhe marrin para prej tyre

Shqipëria

Gazetari: Në polici janë rikthyer në poste drejtuese persona që kanë lidhje me grupet kriminale dhe marrin para prej tyre

Më: 1 prill 2023 Në ora: 19:51
Gazetari Spartak Koka

Gazetari Spartak Koka është shprehur se në Policinë e Shtetit janë rikthyer në postet drejtuese persona që kanë lidhje me grupet kriminale.

Komentet Koka i bëri përmes një interviste për News 24, ku tha se ka nevojë për një ndryshim të sistemit të brendshëm të policisë, teksa po komentonte vrasjet e fundit në vend.

Ai tha se këta drejtues policie që kanë qenë të lidhur me grupe të caktuara kriminale dhe kanë marrë përqindje prej tyre nuk mund t’i shërbejnë komunitetit dhe sipas tij, opsioni më i mirë është që të realizohet një vetting në radhët e policisë.

“Duhet të ndryshojë sistemi i brendshëm i policisë. Ne shikojmë riaktivizimin e grupit drejtues të Hashashit në vitin 2016. Ishte po kjo qeveri e cila i nxori në dispozicion, dhe në mënyrë të habitshme gjatë vitit 2022 dhe 2023 janë kthyer në pozicione shumë të rëndësishme në Policinë e Shtetit duke drejtuar sektorë që kanë të bëjnë me luftën kundër narkotikëve dhe aspekte të rëndësishme që duhet t’u garantojnë qytetarëve më shumë rend dhe më shumë siguri.

Rikthimi i këtyre personave, që kanë qenë të evidentuar dhe nga SHISH për lidhje me grupe kriminale dhe marrjen e përqindjeve të përfitimeve nga droga në 2016, në poste drejtuese nuk është një lajm i mirë në Policinë e Shtetit. Sigurisht këtu nuk ka justifikim për askënd nga drejtuesit e policisë. Drejtues me lidhje me grupe kriminale nuk mund t’i shërbejnë komuniteteve në zona të ndryshme sepse sërish ata do të implikohen me grupe kriminale. Pra më e mira e mundshme është të bëhet një Vetting i plotë. Të kuptojmë se cilat janë pasuritë e tyre”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat