EMRI/ Lejonte Call Center-in të vepronte në këmbim të 10 mijë eurove në muaj, nisin hetimet për zyrtarin e lartë të policisë

Shqipëria

EMRI/ Lejonte Call Center-in të vepronte në këmbim të 10 mijë eurove në muaj, nisin hetimet për zyrtarin e lartë të policisë

Më: 27 prill 2023 Në ora: 19:34
Call Center

Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet për Erion Ismailin, i cili mban aktualisht pozicionin si shef sektori të krimit ekonomik në Policinë e Tiranës.

Dosja e cila është nën hetim nga prokurorja e Tiranës Suela Salavaci ka të bëjë me një denoncim ku thuhet se Ismaili ka marrë ryshfet 10 mijë euro çdo muaj për të lejuar një call center të kryente lirisht veprimtarinë mashtruese me bursat ndaj qytetarëve europianë.

Sipas “Opinion”, dyshohet se shefi i krimit ekonomik Erion Ismaili merrte këtë shumë çdo muaj nga subjekti që ndodhej ne rrugën e Kosovarëve në Tiranë. Policia ka ushtruar kontrolle në këtë call center ku sekuestroi disa kompjuter dhe pajisje të tjera.

Gjatë këtij operacioni që u zhvillua më datën 15 prill, u arrestuan Eduart Spasari, Fatmir Qershori dhe Mariglen Karaj. Ky i fundit është zyrtar i lartë në UKT. Në momentin që policia i ka shkuar subjektit për kontroll, ata kanë kontaktuar me Karajn. Ky i fundit me mesazhe dërguar administratoreve të call centerit është shprehur se i ka dhënë 10 mije euroshin Erion Ismailit me qëllim që ky biznes të mos prekej.

Erion Ismaili është marrë në pyetje nga kolegët e tij, ku ka mohuar akuzat dhe mesazhet. Ndërkohë Karaj përpara hetuesve nuk ka pranuar të fliste. Madje pas arrestimit, mësohet se ai ka shfaqur probleme me zemrën dhe është dërguar në spital.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat