Nga kërcënimi i efektivit të FNSH-së në Fier te plumbat në Athinë, mister si “Titi” u zhduk nga Shqipëria dhe u shfaq në Greqi

Shqipëria

Nga kërcënimi i efektivit të FNSH-së në Fier te plumbat në Athinë, mister si “Titi” u zhduk nga Shqipëria dhe u shfaq në Greqi

Më: 23 maj 2026 Në ora: 14:06
Alesio Xhelo "Titi"

Një përplasje me armë zjarri u regjistrua në orët e para të mëngjesit të së shtunës në zonën e Mikrolimanos në Athinë, ku shqiptari Alesio Xhelo i njohur me nofkën “Titi” mbeti i plagosur.

Sipas të dhënave të autoriteteve greke dhe burimeve hetimore, Xhelo rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi për vrasje, si dhe i përfshirë në disa episode të rënda kriminale, përfshirë shkëmbime zjarri me policinë, grabitje me dhunë dhe rrëmbim personash. Ai dyshohet gjithashtu për një sërë ngjarjesh të tjera të rënda kriminale të ndodhura ndër vite.

Në qershor të vitit 2019, ai u raportua se u arratis nga burgu “Petro Ralli” në Greqi, së bashku me dy të burgosur të tjerë, në një ngjarje ku u përfshi edhe marrja peng e një gardiani. Pas arratisjes, ai arriti të kalonte në territorin shqiptar.

Ndërkohë në vendin tonë ai është mbajtur nën masa sigurie dhe mbikëqyrjeje, për shkak të kërkimeve ndërkombëtare ndaj tij. Deri vitin e kaluar, ai ndodhej në “arrest shtëpie” në Fier, nën mbikëqyrje policore 24 orë, për disa akuza të rënda, përfshirë trafik armësh, largim nga vendi i qëndrimit të burgosur dhe vepra të tjera penale të rënda.

Mirëpo sërish asokohe “Titi” shkaktoi probleme. Ai kërcënoi dhe ofendoi punonjësin e FNSH-së në Fier, i cili ndodhej në shërbim për mbikëqyrjen e tij. Pas atij incidenti 41-vjeçari ra në prangat e Policisë, ndërkohë që prej marsit të vitit të kaluar emri i tij nuk u përfol më nëpër media, deri sot.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, mbetet ende e paqartë se si Xhelo ka përfunduar sërish në Greqi, duke qenë se ai ishte nën masa sigurie në Shqipëri. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një shpjegim zyrtar mbi mënyrën e kalimit të tij drejt territorit grek apo rrethanat e lëvizjeve të tij të fundit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat