Nga jugu në veri, 11 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive, në dispozicion edhe dy avionë “Air Tractor”!

Shqipëria

Nga jugu në veri, 11 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive, në dispozicion edhe dy avionë “Air Tractor”!

Më: 14 gusht 2026 Në ora: 10:17
Fotoilustrim

Ministria e Mbrojtjes ka informuar mbi situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 29 vatra zjarri. Prej tyre, 11 vatra vijojnë aktive, 3 janë në monitorim dhe 4 janë vënë nën kontroll.

Për përballimin e situatës është angazhuar një numër i konsiderueshëm forcash dhe mjetesh. Në terren operojnë 249 efektivë të MZSH-së, 48 forca policore, 233 forca bashkiake, të AdZM-së, Shërbimit Pyjor dhe ASHP-së, 206 vullnetarë dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në operacione janë angazhuar 43 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion 9 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 3 ambulanca, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

* Dajt, Tiranë – Vijon puna në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Edhe në Priskë e Madhe nuk raportohet rrezik për banesat.

* Përmet, Gjirokastër – Mbeten aktive vatrat në malin e Nëmerçkës dhe në malin Dhëmbel. Terreni paraqitet i vështirë, ndërsa forcat zjarrfikëse, punonjësit e sektorit pyjor dhe vullnetarët po vijojnë punën për izolimin e tyre. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Gurë-Lurë, Dibër – Vijon një nga operacionet më të rëndësishme, me 120 forca të bashkisë, 57 efektivë të FA-së, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të AdZM-së. Falë ndërhyrjes së forcave është vendosur nën kontroll perimetri pranë banesave dhe është evituar rreziku për djegien e tyre. Nga ajri kanë operuar 2 avionë Air Tractor, ndërsa puna vijon në dy drejtimet e tjera ku zjarri ruan intensitet.

* Qafa e Helmes, Bulqizë–Dibër – Vatra vijon aktive në terren pyjor, me angazhimin e 10 efektivëve të MZSH-së, 6 forcave bashkiake dhe 6 forcave nga njësia administrative Selishtë.

* Trojë, Mirditë – Për izolimin e vatrës janë angazhuar 13 efektivë të MZSH-së me 3 automjete zjarrfikëse, 36 forca bashkiake, 3 policë, 20 vullnetarë, si dhe 2 automjete zjarrfikëse dhe 30 efektivë të FA-së.

* Shkodër – Vijojnë aktive vatrat në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Forcat e MZSH-së dhe Shërbimit Pyjor po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tyre; në Goraj-Budishtë nuk ka rrezik për banesat dhe vatra po shkon drejt izolimit.

* Elbasan – Mbeten aktive vatrat në Dardhë, bashkia Librazhd, ku operojnë MZSH, forcat pyjore dhe bashkiake, si dhe në Shalës, bashkia Cërrik. Në Dardhë nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat