Federer në finale

Tenis

Federer në finale

Më: 2 mars 2019 Në ora: 11:27
Federer në finale

Roger Federer vetëm një fitore larg titullit të 100 ATP në karrierë. Në Dubai 37-vjecari zviceran zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer duke i dhënë një leksion të mirëfilltë tenisi kroatit Borna Coric, që është pothuajse 16 vjet më i ri në moshë sesa veterani helvet. Në gjysmëfinale në turneun e përvitshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe numri 7 i botës e theu plot katër herë në shërbim 22-vjecarin Coric, që në krahun tjetër humbi takimin pa krijuar asnjë mundësi për break. Borna Coric e filloi takimin duke fituar game-n hapës, sidoqoftë që nga ai moment Roger Federer dominoi shkëmbimet dhe madje pati mundësinë për ta mbyllur setin me rezultatin e thellë 6-1, por numri 13 i botës anuloi dy mundësi për setin kur shërbente vetë, në shifrat 15-40. Në setin tjetër muzika nuk ndryshoi, sepse tenisti nga Bazeli kryesoi pa humbur kohë 2-0, gjithsesi Roger nuk u mjaftua thjesht me administrimin e avantazhit por e theu kundërshtarin sërish në servis, për të përfunduar gjithë takimin me rezultatin e thellë 6-2, 6-2, në dicka më tepër se një orë lojë. Coric kishte fituar dy përballjet e fundit ndërmjet tyre, madje në harkun e tetë muajve të fundit, në gjysmëfinalen e Mastersit të Shangait si dhe në finalen e Halles, që përbën njëherësh edhe suksesin e vetëm në turnetë 500 për tenistin kroat, sidoqoftë me këtë triumf Roger tashmë kryeson 3-2 bilancin mes tyre.

Me 180 pikët e fituara javën e ardhshme Borna Coric do të rikthehet në vendin e 12 në renditjen botërore, ndërkaq Dubai për Federerin përfaqëson një ndër turnetë më të suksesshëm në karrierë për tenistin zviceran, që në këtë pjesë të Gjirit Persik ka fituar 7 nga 9 finalet e zhvilluara. Veterani nga Bazeli do të kërkojë ditën e shtunë trofeun e 22 500-sh në karrierë, për t’u shkëputur me dy tituj më shumë sesa ndjekësi i tij më i afërt Rafael Nadal dhe në finale mjeshtri helvet do të masë forcat me Stefanos Tsitsipas, që eliminoi në gjysmëfinalen tjetër francezin Gael Monfils. 32-vjecari parizien numëronte tetë fitore radhazi, periudhë ku Monfils triumfoi në Rotterdam dhe natyrisht numri 23 i botës konsiderohej edhe si një ndër tenistët më në formë në këtë pjesë të sezonit, megjithatë 20-vjecari grek i përmbysi disavantazhin e një seti dhe të një game me break, për të kryesuar tashmë 2-1 bilancin e përballjeve ndërmjet tyre. Vetëm tre javë më herët në Sofie Monfils e fitoi sfidën mes tyre në fazën cerekfinale 2-0, sidoqoftë edhe në Dubai tenisti parizien pati mundësinë për të mbyllur llogaritë në vetëm dy sete, teksa kryesonte 3-1 në setin e dytë, pasi kishte marrë të parin me shifrat 6-4. Që nga ai cast tenisti helen ktheu disavantazhin, duke i anuluar kundërshtarit madje edhe katër mundësi për break shumë pranë fundit të setit final, për të përmbysur gjithçka në dy sete me tie break. Stefanos Tsitsipas që javën e kaluar triumfoi në Marsejë, me këtë sukses tani krenohet me 8 fitore rresht dhe falë 300 pikëve të siguruara në Dubai 20-vjecari nga Athina bëhet i pari sportist grek që hyn në dhjetëshen e tenistëve më të mirë të botës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat