Ish-ambasadori: Kjo është e vetmja zgjidhje aktuale për Kosovën, Isa Mustafa po e josh PDK-në me këtë pazar

Aktuale

Ish-ambasadori: Kjo është e vetmja zgjidhje aktuale për Kosovën, Isa Mustafa po e josh PDK-në me këtë pazar

Nga: A.Zh Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 20:21
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka, ka thënë se e vetmja zgjidhje për situatën “e rëndë politike”, në të cilën ndodhet Kosova, janë zgjedhjet e reja.

Ai ka thënë se zgjedhjet e reja duhet të mbahen, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votimin e deputetit Etem Arifi, përcjell Bota sot.

Diplomati shqiptar ka akuzuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafën, se po “flirton hapur me PDK-në”. Sipas tij, Mustafa po përpiqet ta joshë PDK-në me “postin e presidentin a ndonjë pazar tjetër, me leverdi për të dy palët”.

Ai ka ofruar edhe argumentet e tij, se pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Postimi i plotë i Laukës në Facebook:

Zgjedhjet e reja si interes shtetëror i Kosovës

Këto ditë, në Kosovë po flitet për një rikonfigurim të koalicionit qeveritar. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, po flirton hapur me PDK-në, duke u përpjekur ta joshë me postin e presidentit a ndonjë pazar tjetër, me leverdi për të dy palët. Në lojëra të kësaj natyre ai ka përvojë, sepse është përfshirë në to edhe më parë, si më 2014, 2016, 2020, etj., jo për hir të interesave të Kosovës, siҫ përpiqet të “argumentojë” ai, por të mbijetesës politike të tij dhe të kastës së vjetër që përfaqëson.

Në gjykimin tim, e vetmja zgjidhje e drejtë, e qëndrueshme dhe legjitime për situatën e rëndë në të cilën gjendet Kosova, janë zgjedhjet e reja parlamentare, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votimin e deputetit Etem Arifi.

Argumentet e mia në favor të kësaj teze, janë këto:

Së pari, gjatë kohës, relativisht të shkurtër, nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019 e deri tani, kanë ndodhur kaq shumë zhvillime, për fat të keq, negative, sa është e domosdoshme që për to të japë gjykimin e vet sovrani: në kulmin e pandemisë duke shfrytëzuar arrogancën e të Dërguarit të Posaҫëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, R. Grenell, establishmenti i vjetër politik mbështeti mocionin e mosbesimit të LDK-së dhe rrëzoi kryeministrin Kurti me akuzën për “antiamerikanizëm”; mandati politik i 6 tetorit u tjetërsua. Vijat e kuqe të shpallura gjatë fushatës zgjedhore nga LDK si, jo koalicion me PDK-në, PAN-i, jo më në pushtet, jo kapje të shtetit, jo reciprocitet me Serbinë, jo minishëngen ballkanik, etj., u shkelën me të dyja këmbët prej saj, duke miratuar politika të brendshme e të jashtme, në kundërshtim të hapur me to. Jo vetëm kaq, por bartësja e listës së kësaj partie, promovuesja kryesore e vijave të kuqe, Vjosa Osmani, u shkarkua nga të gjitha funksionet në LDK; për miratimin e Ligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike, koalicionit të tanishëm qeveritar, iu deshën gjashtë muaj, duke thelluar më tej kriizën ekonomike edhe ashtu të rëndë; kanë ndodhur disa “koincidenca” politike të pashpjegueshme, si shuarja e Task-Forcës Antikorrupsion, që funksiononte brenda policisë së Kosovës, vetëm një javë, pas ngritjes së akuzave ndaj disa figurave të rëndësishme të LDK-së, apo emërimi si konsull i përgjithshëm në Pragë i djalit të deputetit Haxhi Shala, pak kohë pas vizitës me 3 qershor, në mesnatë, të ish-presidentit Thaçi dhe ish-kryeministrit Haradinaj, ku u sigurua vota e 61-të për qeverinë Hoti; ka patur raste të përsëritura të sjelljes mujshare të përfaqësuesve të ekzekutivit, duke refuzuar të japin llogari për sektorët që mbulojnë, në komisionet parlamentare a në Kuvendin e Kosovës; është shënuar regres në dialogun me Serbinë, ku janë rihapur çështje të mbyllura me kohë, si ajo e të zhvendosurve, ose janë futur të reja, që cënojnë sovranitetin e vendit, si shfrytëzimi i përbashkët Kosovë-Serbi i Ujmanit.

Ekzistojnë dyshime serioze se këto dukuri kanë në bazë, jo interesin e publikut, të qytetarëve, por atë të kastës politike në pushtet. Kështu, “antiamerikanizmin” e Kurtit, establishmenti i vjetër e përdori si instrument për ta hequr qafe, sepse u ndje i kërcënuar prej tij në privilegjet dhe avantazhet e veta politike dhe ekonomike. Tjetërsimi i mandatit politik të 6 tetorit dhe bashkëpunimi i LDK-së me subjektet e PAN-it është bërë për shkak se Isa Mustafa ndjehej i pasigurtë për të mbijetuar politikisht në koalicion me Albin Kurtin. Edhe “koincidencat” politike dëshmojnë se, ashtu si më parë, kapja e shtetit vazhdon të thellohet.

Për të gjitha këto zhvillime, të ndodhura gjatë këtyre pak muajve, qytetarët e Kosovës duhet t`iu drejtohen kutive të votimit dhe të japin vlerësimin e tyre, duke ndëshkuar ato forca dhe ata politikanë që guxojnë të luajnë si t`iu teket me mandatin politik që u ka besuar populli.

Së dyti, një marrëveshje e mundshme për presidentin dhe një rikonfigurim i koalicionit qeverisës, i ndërtuar, jo mbi parime, por mbi bazën e pazareve midis subjekteve politike, nuk mund të jetë i qëndrueshëm. Siç e dëshmon edhe koalicionin i tanishëm, mosbesimi, ndërtimi i kurtheve për partnerin, janë karakteristika të të gjitha koalicioneve që bazohen në interesa dhe axhenda të ngushta personale, grupazhi a partiake. Kosova ka nevojë për qeveri të ndershme, të përgjegjshme e të qëndrueshme, sepse vendi nuk mund të drejtohet me qeveri të harrnuara. Qeveritë e këtij lloji, vetëm sa e zgjasin krizën, pa e zgjidhur atë.

Së treti, ka ardhur koha që qytetarët e Kosovës, nëpërmjet kutive të votimit të japin gjykimin e tyre për veprimtarinë dhjetëvjeçare të establishmentit të vjetër politik, duke filluar nga shpallja e mendimit këshillues të GJND-së, i cili legalizoi pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Partitë politike që kanë qenë në pushtet, gjatë kësaj periudhe, kryesisht PDK dhe LDK, nuk arritën që të konsolidojnë shtetin e Kosovës në elementët e tij themelorë - sovranitet, territor, demografi, njohje ndërkombëtare. Përkundrazi, menjëherë pas GJND-së, u pranuan bisedimet “teknike” me Beogradin, të cilat, në thelb goditën sovranitetin shtetëror të Kosovës, duke futur në axhendë çështjen e statusit të saj politik. Marrëveshja e 19 prillit 2013 dhe ajo e gushtit 2015 për Asociacionin e Komunave Serbe ishin goditje e drejtpërdrejtë e rendit të brendshëm kushtetues. Mbrojtja e tezës së ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi nga ish-presidenti ishte goditje ndaj integritetit territorial. Krizat e pandërprera në fushën ekonomike, arsimore dhe shëndëtsore, pa folur për mashtrimet periodike, lidhur me liberalizimin e vizave, goditën në masë, sidomos brezin e ri, duke mos i lënë shteg tjetër, veç kërkimit të rrugëve ligjore dhe joligjore për të braktisur vendin. Fillimi i procesit të çnjohjeve ishte goditja tjetër, këtë radhë, në dëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Do të ishte e padrejtë që këto goditje të rënda ndaj shtetësisë së Kosovës t`i faturohen vetëm establishmentit politik vendor, pasi ato janë pasojë e një numri faktorësh, me natyrë të brendshme e të jashtme, por është e pamohueshme se ai nuk e bëri pjesën e vet që i takonte, në zbatim të kushtetutës dhe përgjegjësive të marra para qytetarëve të Kosovës. Ndaj jemi në këtë derexhe, ku shteti paraqitet i dobësuar, ndërsa kasta sunduese e majmur.

Duket se establishmentit të vjetër i ka shteruar potenciali krijues, nuk ka ide të reja dhe energjitë e veta i shpenzon në gjetjen e rrugëve për t`i ikur ballafaqimit me popullin, për të shmangur ndryshimin, të cilin e konsideron si kërcënim ekzistencial, me qëllimin e vetëm që të ruajë të paprekura pozitat e tij. Në këtë kontekst, partitë e vjetra i kanë hequr të gjitha vijat e kuqe me njëra-tjetrën dhe kanë vënë një vijë të kuqe me popullin e vet, sepse ballafaqimit me të në kutitë e votimit i tremben, siç trembet djalli nga temjani. Mjafton ky fakt për të pohuar se ato e kanë humbur legjitimitetin për të qeverisur. Si mund të pretendosh të qeverisësh një popull nga i cili ke frikë dhe përpiqesh të ikësh prej tij?

Në këtë kuptim, zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat mendohet se do të dërgojnë në pension të merituar politik kastën e vjetër pushtetore, përbëjnë interes shtetëror për republikën e Kosovës. Kjo kastë, do të përpiqet si hidra me nëntë koka e mitit të Herkulit, që të mos dorëzohet, por qytetarët e Kosovës do t`i kundërvënë shpirtin e demokracisë, siç janë zgjedhjet dhe, nëpërmjet vullnetit të tyre të lirë, do të sjellin në pushtet forca të përgjegjshme politike, të cilat legjitimitetin e tyre e kërkojnë këtu, në Kosovë, pikërisht tek populli i vet dhe që interes parësor kanë mirëqenien e tij dhe forcimin e shtetit.

Vetëm pas zgjedhjeve të reja dhe krijimit të një shumice të re parlamentare, mund të flitet për zgjidhjen e problemeve të mprehta, me rëndësi jetike për shtetin dhe pavarësinë e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat