Elvis Hoxha: E fitojmë betejën e dytë të UÇK-së po e ndërkombëtarizuam gjenocidin serb

Aktuale

Elvis Hoxha: E fitojmë betejën e dytë të UÇK-së po e ndërkombëtarizuam gjenocidin serb

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 00:09
Elvis Hoxha

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri të martën ka dorëzuar një projekt-rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë dhe institucione tjera lidhur me gjenocidin e Serbisë të kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Elvis Hoxha, anëtar i Vetëvendosjes në Shqipëri dhe këshilltari i ish-kryeministrit Albin Kurti, ka thënë  se Shqipëria nuk bëri asgjë për të dokumentuar gjenocidin serb në Kosovë gjatë viteve 1998-99, prandaj edhe e kanë ndërmarrë një iniciativë të tillë.

“Kjo rezolutë është e vonuar padyshim, siç është ajo e Kosovës. Shqipëria s’ka bërë asnjëherë gjestin më të vogël për të ndërkombëtarizuar gjenocidin serb që ndodhi në vitin 1999-98”.

Hoxha ka thënë se është shumë i dëmshëm diskursi i vendosur në mënyrë mediatike dhe kulturore, madje edhe akademike, që mendohet se të gjitha krimet janë probleme të së kaluarës.

“Nëse e ke fituar luftën, e ke fituar për të vënë në vend të drejtat e viktimave. Çdo familje e Kosovës është e prekur me një të vrarë, të përdhunuar, me një dëshmor dhe paramendoni këto familje kur e dëgjojnë këtë diskurs. Unë s’di si u krijua. Kujtoni edhe për shprehjen e Edi Ramës që tha se “ky nuk është problem”.

“Nëse sistemi politik me gjithë subjektet dhe institucionet tjera do të kishin punuar për të prodhuar një sovranitet të plotë të shteteve, gjëja e parë që duhej të krijonin ishte rehabilitimi i viktimave. Por, ata përdornin këtë lloj bagazhi vetëm kur i duhej, por jo ta bënin lëndë sovraniteti”.

Hoxha tha se projekt-rezoluta është vetëm hapi i parë që lejon të shkohet më tej në angazhimet për ndërkombëtarizim e gjenocidit serb në Kosovë.

Por, a do të arrihet të kalohet ky projekt-rezolutë derisa Vetëvendosje në Shqipëri nuk ka përfaqësim në Parlament?

“Unë jam i Vetëvendosjes dhe besoj që gjërat bëhen si duam. Kjo do të realizohet”.

Ish-këshilltari i Kurtit shtoi se meritorë për liri janë vetëm dëshmorët që dhanë jetën për liri.

“Ata që kanë më shumë merita për këtë vend, thotë Migjeni, janë dëshmorët. Dhe derisa ekzistojnë ata, të tjerët që marrin merita është më mirë të angazhohen për rezolutën. Ne duhet kotësojmë edhe Dick Martyn edhe Gjykatën Speciale dhe ta vëmë në dyshim ekzistencën e tyre. Ne e bëjmë gjenocidin serb të shkojë në të gjitha portat ndërkombëtare dhe do të fitojmë betejën e dytë të UÇK-së”.

Hoxha tha se detyra e Shqipëria ishte ta mbështeste Kosovës dhe ta kishte në prioritet.

Pikat kryesore të kësaj projekt-rezolutes që propozoi Vetëvendosja janë:

Caktimin e datës 15 Janar, ashtu siç ka vepruar edhe Kosova, si “Dita e Përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës”, ngritjen e një memoriali në Tiranë, si dhe protokollin përkatës shtetëror për aktivitetet e kësaj date në koordinim me autoritetet e Republikës së Kosovës.

Ndryshime në Kodin Penal në lidhje me çështjen e gjenocidit, si dhe përshtatja e kurrikulave shkollore për edukimin e brezave që vinë.

Ndërkombëtarizimin e çështjes së gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe ndërqeveritare, marrë parasysh faktin se Kosova ende nuk është anëtare në shumë prej tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat