Tahiri pas takimit me Osmanin: Vendimi është tek populli, Kosovë, urime zgjedhjet

Aktuale

Tahiri pas takimit me Osmanin: Vendimi është tek populli, Kosovë, urime zgjedhjet

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 16:41
Besnik Tahiri

U.d i zëvendëskryeministrit të Kosovës, njëherish nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është takuar me ushtruesen e detyrës së Presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani me të cilën kanë folur rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë dhe gjithashtu për kohën optimale të zgjedhjeve të reja.

Tahiri është shprehur para gazetarëve se kanë diskutuar me Osmanin lidhur me kohën optimale të mbajtjes së zgjedhjeve.

Ai gjithashtu është shprehur se saherë që vendimi i dorëzohet qytetarëve, është një lloj feste.

“Sapo përfundova një takim me u.d e presidentes së vendit, temë diskutimi ishin zgjedhjet dhe vendimi i Kushtetueses që e detyron vendin të shkojë në zgjedhje, diskutuam për kohën optimale që këto zgjedhje të mbahen. Ajo që dua të them qytetarëve të Kosovës është se çfarëdo situate kur vendimi dorëzohet tek sovrani, është festë. Kosova ka dëshmuar stabilitet institucional, edhe në kohë të vështira të organizojë zgjedhje dhe besoj se do të kalojmë mirë edhe kësaj radhe edhe pse jemi me pandeminë”, tha Tahiri.

Më tutje, ai ka thënë se janë diskutuar afatet kohore kushtetuese që lidhen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta dërguar Kosovën në zgjedhje brenda 40 ditësh.

Ai tha se të gjithë e kanë të qartë se vendimi është tek populli.

“Ne i diskutuam afatet kohore Kushtetuese që lidhen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe ajo që dihet saktësisht që 5 maji është data kur skadon mandati i u.d të presidentes dhe ajo u zotua se do të ketë konsulta të gjata me të gjitha partitë dhe se do të caktohet një datë që do të jetë në kornizën e këtyre afateve kohore. Të gjithë tani e kemi një qartësi, vendimi është tek populli, Kosovë, urime zgjedhjet”, tha Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat