Krasniqi: Kuvendi nuk ishte produktiv

Aktuale

Krasniqi: Kuvendi nuk ishte produktiv

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 01:05
Kuvendi i Kosovës

Jeta Krasniqi e KDI-së ka vlerësuar se Kuvendi në Qeverinë Hoti nuk ka qenë produktiv, duke e marrë parasysh se kishte vetëm 61 vota dhe një nga deputetët, Etem Arifi, ishte në burg.

Ajo ka thënë se në vazhdimësi është parë mungesë kuorumi në Kuvend dhe është dashur me muaj të tërë për të shtyrë para si Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike apo rishikimin e buxhetit.

“Kjo Qeveri ende është Qeveri fuqiplotë, pasi ende nuk ka dal aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese dhe nuk i është dërguar palëve. Por gjithsesi, epilogu i kësaj Qeverie po dihet, vendi së shpejti do të shkojë në zgjedhje e do të kemi Qeveri të re. Nëse shihet kjo Qeveri nga fakti se i kishte 61 vota, e Etem Arifi ishte në burg, aty ishin edhe dhjetë vota të Listës Serbe, që dukej se herë bashkëpunonte e herë jo. Në vazhdimësi ajo kishte bojkotuar mbledhjet e Qeverisë dhe Kuvendit. U pa që në fillim se kjo Qeveri nuk e kishte shumicën e nevojshme për të shtyrë para ligjet e nevojshme, programin e saj qeverisës. Dhe ajo çfarë pamë ishte në vazhdimësi mungesë kuorumi për të mbajtur takime, në takime të Kuvendit që ishin me pika të mbetura me muaj të tërë. Në fakt Kuvendi nuk po arrinte të kryente mandatin e vet. Kishim dy parti opozitare, Vetëvendosja që kërkonte rilegjitimim të Qeverisë, zgjedhje, e PDJ-ja që jo gjithmonë ishte për zgjedhje të reja, por nuk votonte çdo gjë që sillte para Qeveria”, ka thënë Krasniqi.

“E pamë Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, rishikimin e buxhetit, u desh në fakt me muaj të tërë që të votohej dhe në një kohë kur ishim në pandemi. Duket se bashkëpunimi pozitë – opozitë, në Kuvend, edhe te çështjet esenciale, si marrëveshjet ndërkombëtare e rishikimi i buxhetit, nuk po arrihet të ndërtohet. Mendësia politike në Kosovë nuk është pjekur në atë pikë që të ketë bashkëpunim konstruktiv mes partive”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat