Pa numra për vendimmarrje e shumë përplasje, çka ndodhi në Kuvendin e Kosovës këtë vit

Aktuale

Pa numra për vendimmarrje e shumë përplasje, çka ndodhi në Kuvendin e Kosovës këtë vit

Më: 31 dhjetor 2020 Në ora: 13:02
Kuvendi i Kosovës

Një prej legjislaturave më të dobëta në Kuvend po konsiderohet kjo e fundit, sa i përket përmbushjes së agjendës legjislative. Kuvendi i Kosovës ka arritur t’i miratojë vetëm 15 projektligje dhe është karakterizuar me përplasje në mes të deputetëve, në veçanti opozitës dhe pushtetit. Po kjo e njëjta legjislaturë ka zgjedhur dy qeveri ndërkohë vet do të përfundojë punën me vetëm një vit angazhim, meqë ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese është kërkuar shpallja e zgjedhjeve të reja.

Deputetët u betuan në fund të dhjetorit të vitit të kaluar ndërsa Qeverinë e votuan më 3 shkurt të këtij viti, në krye të së cilës ishte Albin Kurti, në koalicion me partinë e Isa Mustafës.

Në ditën kur u votua kryeministër i Kosovës, Kurti mori një dhuratë, flamurin kombëtar.

Edhe kjo legjislaturë u përcoll me përplasje mes opozitës dhe pushtetit.

Si kryeministër, Kurti u kritikua për heqjen e taksës 100% ndaj Serbisë, duke e zëvendësuar atë me reciprocitet.

Miratimi i buxhetit ishte puna që kryen deputetët në fillim të këtij viti, përveç replikave dhe akuzave që u bënë ndaj njëri-tjetrit.

Pa u bërë tre muaj prej kur dhanë betimin si deputetë të Kuvendit të Kosovës, ata nisën një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti. Kësaj radhë propozues ishin deputetët e LDK-së, parti kjo që ishte në koalicion qeverisës më Vetëvendosjen.

Deputetët e LDK-së e nisën këtë mocion për rrëzim të qeverisë pasi Albin Kurti shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm, Agim Veliun.

E këtë nismë të LDK-së nuk e përkrahi Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit.

Më 25 mars deputetët rrëzuan Qeverinë Kurti me dy të tretat e votave, për të votuar pastaj më 3 qershor një qeveri të re të udhëhequr nga Avdullah Hoti, pjesë e së cilës ishin edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Lista Serbe, e cila mori besimin vetëm të 61 deputetëve.

Deputetët rrëzuan një qeveri dhe votuan një tjetër në kohën kur edhe në Kosovë u përhap koronavirusi dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte shpallur pandemi.

Debate e përplasje fjalësh pati në të gjitha seancat plenare.

Madje, pas përplasjeve me fjalë, një seancë ishte ndërprerë për shkak të kërcënimeve ndaj kryetares Vjosa Osmani.

Kjo legjislaturë do të mbahet mend edhe për përplasje fizike. Një gjë e tillë ndodhi në mes të deputetëve të Vetëvendosjes dhe LDK-së në seancën kur po diskutohej për të pagjeturit e cila kaloi plot tension.

Zhvillimet me pandeminë prodhuan një situatë të re në Kuvend ku një kohë u kufizua qasje e mediave dhe organizatave jo-qeveritare në mbledhjet e Kuvendit dhe u pamundësia mbajtja e disa mbledhjeve të komisionit.

Por edhe ato të cilat u mbajtën u karakterizuan me diskutime e replika dhe pothuajse gjithmonë pa kuorum për vendimmarrje.

“Pandemia do të duhej të cilësohej si një problem periferik i kësaj legjislature, meqenëse për aq sa është deklaruar publikisht, nuk kemi pasur asnjëherë më shumë se 20 deputetë të cilët kanë qenë të infektuar dhe nuk kanë marrë pjesë në seancë në të njëjtën kohë, ndërsa në anën tjetër kemi edhe 100 deputetë të tjerë të cilët nuk kanë marrë pjesë në seanca. Andaj unë besoj që me kryefjalë mungesën e kuorumit, kjo legjislaturë ka ardhur në një situatë të tillë për shkak të hatër-mbetjeve politike e mbi të gjitha për shkak të tentimit të opozitës për të treguar se sa e pa fuqishme është Qeveria aktuale e cila e ka pasur numrin minimal të votave”, thotë Eguen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Projektligjet e miratuara ishin kryesisht marrëveshje financiare dhe për buxhetin apo rimëkëmbjen ekonomike. Madje kjo e fundit u vendos për votim deri në shtatë herë, derisa mori votat e mjaftueshme për miratim gati në fund të vitit.

Orientimi kryesor i Kuvendit sivjet ka qenë kryesisht në çështje ekonomike por që edhe në këtë drejtim institucioni ligjvënës ka dështuar të plotësojë pritshmëritë e qytetarëve.

“Kjo legjislaturë ka qenë shumë e ngadalshme në shtyrjen përpara të proceseve legjislative. Në këtë legjislaturë kemi parë që janë miratuar 15 ligje në total, prej tyre dhjetë kanë qenë marrëveshje ndërkombëtare që është dashur patjetër të miratohen ndërsa vetëm pesë ligje të tjera, që nuk kanë qenë pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare kanë kaluar në këtë legjislaturë. Kjo tregon që nuk është arrit as për së afërmi agjenda legjislative në këtë legjislaturë, ka pasur shumë arsye për këtë punë mirëpo ajo që vlen të theksohet është që ka një mungesë të theksuar të bashkëpunimit në mes të Qeverisë dhe opozitës, qoftë qeverisë aktuale dhe opozitës aktuale, qoftë edhe në qeverinë e kaluar, Kurti”, thotë Emir Abrashi nga Demokracia Plus.

Pavarësisht pandemisë, deputetët merrnin pjesë në seanca dhe mungesa e kuorumit ishte gjithmonë në votim.

Deputetët janë paguar për punën e tyre por nuk e kanë kryer obligimin e tyre parësor, që është pjesëmarrja në votim.

“Një pjesë e madhe e projektligjeve kanë mundur të rrëzohen pikërisht nga opozita të cilët në disa raste kanë pasur më shumë deputetë të pranishëm se pozita, tregon se as opozita nuk ka pasur qëllim parësor që të mos miratohen ligjet, mirëpo të njëjtat vetëm të prolongohen dhe të tentohet të përçohet një mesazh që kjo Qeveri nuk i ka numrat për të qeverisur në Kuvend”, shton Cakolli.

Në muajin e fundit të këtij viti, Gjykata Kushtetuese doli me vendim që Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo-kushtetuese, për shkak të votës së ish-deputetit Etem Arifi i cili ka probleme me drejtësinë.

Kushtetuesja rekomandoi shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe në ditët në vijim përfundon puna e deputetëve të kësaj legjislature.

Krejt në fund, para shpalljes së zgjedhjeve të reja, deputetët votuan buxhetin për vitin 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat