PZAP: LVV do të garojë me 5 kandidatë më pak për deputetë, partia e Kurtit do t’i drejtohet Supremes

Aktuale

PZAP: LVV do të garojë me 5 kandidatë më pak për deputetë, partia e Kurtit do t’i drejtohet Supremes

Më: 26 janar 2021 Në ora: 15:55
Foto ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me 5 kandidatë më pak për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit -përfshirë kryetarin e partisë, Albin Kurti – sipas një vendimi që e mori sot Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi Murtezi nuk do të mund të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ata nuk ka të drejtë t’i zëvendësojë askush, pasi PZAP thotë se ka kaluar afati për këtë.

“Kandidatët për deputet të cekur në pikën -I-, të dispozitivit të këtij vendimi, nuk mund të zevendesohen me kandidatë të tjerë”, thuhet në pikën e tretë të vendimit të PZAP-së.

Paneli ka vendosur se LVV s’ka mundësi më t’i zëvendësojë pesë kandidatët e saj që ishin dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tri vitet e fundit, pasi këtë kanë mundur ta bëjnë deri më 21 janar, kur edhe është mbyllur afati.

Ndaj këtij vendimi, LVV mund të ankohet në Gjykatën Supreme dhe ka 24 orë afat për ta bërë këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat