Zhduken e dhunohen, femrat në Kosovë në mëshirën e fatit

Aktuale

Zhduken e dhunohen, femrat në Kosovë në mëshirën e fatit

Më: 26 janar 2021 Në ora: 17:20
Ilustrim

Historia njeh faktin se femrat thuajse çdoherë kanë cak i sulmeve fizike, psikike dhe seksuale. Nga një fenomen i tillë nuk përjashtohet as në Kosovë, madje, jemi dëshmitar që kohëve të fundit që numri i femrave të zhdukura apo të dhunuara në gjitha format, ka shënuar rritje. 

Nuk kalon thuajse asnjë ditë që në raportet policore janë të paraqitura rastet e dhunës që po ndodhin te femrat, duke bashkangjitur edhe pjesën e zhdukjes së tyre.

Shkaqet janë të ndryshme për këtë fenomen, sidomos tani pas periudhës së pandemisë, ku në shumë vende të botës femra është përdorur për prostitucion, fushë kjo mjaft profitabile.

Si do që të jetë, në Kosovë, sipas raportit të policisë, në vitin 2019 janë zhdukur 254 persona, kurse, në vitin 2020, 165.

Mirëpo, sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, dhunimet dhe zhdukjet e femrave nuk janë rastësi, por, lidhen me të kaluarën e tyre.

“Etiologjia e këtij  problemi qëndron në aspektin e gjendjes para rrëmbimit/dhunimit ku viktimat dhe i dyshuari kanë pasur lidhje , janë njoftuar mes vete dhe në një moment të caktuar po presupozoj që njëra palë ka dëshiruar diçka më shumë se sa pala tjetër dhe është festuar me veprim kriminal” tha ai.

Po ashtu, Shala bëri thirrje që rastet e tilla të merren me më shumë prioritet.

“Organet e rendit me theks të veçantë, prokuroria e shtetit duhet që rastet të tilla ti trajtojë më prioritet të veçantë, për të krijuar një preventive, ndërsa, për gjininë femërore të fortifikohet masa mbrojtëse dhe hapjen e me shumë qendrave për mbrojtjen e tyre” shtoi ai.

Se përse femra është cak i sulmeve të tilla, nga aspekti psikologjik e ka treguar edhe psikologia Kaltrina Ajeti.

Në një prononcim Ajeti tha se femrat frikësohen në lajmërimin e rasteve të tilla, frikë kjo që shkaktohet nga faktorë të ndryshëm.

“Frika nga paragjykimet ndikon në moslajmërimin e rasteve, që do të parandalonte atë  në fazat e hershme. Kjo determinohet nga pasiguria emocionale me të cilën rritet vajzat në shumicën e shoqërive patriarkale.  Pozita e ‘rezervuar inferiore’ dhe pasiguria ekonomike, mungesa e funksionimit te organeve kompetente shtetërore, me të cilën përballen shumica prej tyre, ndikon që ato të jenë cak i lehtë për sulm nga gjinia mashkullore” tha ajo.

E pyetur se cilat janë pasojat psikike pas dhunës së ushtruar ndaj femrave, Kaltrina renditi disa prej tyre, të cilat ndikim kanë edhe në shëndetin fizik të tyre.

“Pasojat në shëndetin e tyre mental mund të shfaqen, me shfaqjen e depresionit, I cili ndikon në uljen e vetëvlerësimit, rritjen e dëshirës për vetmi dhe izolim. Çrregullimet e ankthit, sulme të panikut, shfaqja e agrofobisë janë disa nga simptomat që mund shfaqen te viktimat e sulmeve seksuale.  Frika nga përsëritja e sulmit, identifikimi i të gjithëve si sulmues potencial,bazuar në karakteristikat e sulmuesit të tyre janë disa nga simptomat e stresit post-traumatik (PSTD), prej të cilit mund të vuajnë viktimat e dhunës seksuale. Duhet të cekur se pasojat e sulmeve të tilla mund të jenë afatgjate duke sjell çrregullime të personalitetit dhe sjelljes te cilat përveç shëndetit mental rrezikojnë direkt edhe shëndetin fizik!” janë fjalët e psikologes.

Për parandalimin e dhunës ndaj femrave, apo zbutjen e rasteve të tilla, Ajeti e sheh kryesore fuqizimin e grave në shoqëri.

“Fuqizimi i tyre në familje dhe shoqëri ndikon në rritjen e vetëbesimit, ambicieve, pozitës së tyre ekonomike! Në anën tjetër janë të domosdoshme fuqizimi dhe funksionimi i mekanizmave të shtetit të cilit dënojnë ashpër këto veprime, duke dhënë shembuj të ndëshkimit për rastet e tjera që mund të ndodhin!” përfundoi ajo.

E ashpër për rastet e tilla është treguar edhe aktivistja Zana Avdiu.

Avdiu tha që shteti duhet të ndalojë së trajtuari këto raste si raste të izoluara të krimit, pasi dhuna është pjesë e mendësisë kosovare.

“Shteti duhet t’i trajtojë me prioritet rastet e dhunës ndaj grave, qoftë ato fizike apo seksuale. Nuk mund te vazhdoj t’i trajtojë si raste të izoluara të krimit, të cilat do te trajtohen si gjithë rastet tjera, sepse dhuna ndaj grave është pjese e mendësisë së shoqërisë sonë, prandaj do trajtim të veçantë. Gjithashtu, shteti duhet që dhunuesve t’u reagojë menjëherë dhe në mënyrë efektive si dhe të iu jap dënimin e merituar për aktet e tyre kriminale, dhe jo të veprojë si Gjykata Themelore e Gjilanit javën e kaluar, e cila nuk e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një 29 vjeçari te dyshuar për dhunimin seksual të një 33 vjeçareje. Apo, sikur në të gjitha rastet tjera, ku gjykata nuk ka qenë efektive për rastet e dhunës, e që ato raste kanë përfunduar me vrasjen e grave. Mosefikasiteti i institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, iu jep zemër dhunuesve dhe  i frikëson viktimat qe t’i paraqesin rastet e dhunës seksuale dhe fizike ndaj tyre” tha Avdiu.

Zana tutje shtoi se në institucionet përkatëse qëndrojnë njerëz që dhunën ndaj femrave nuk e konsiderojnë si krim dhe lirojnë ata që ushtrojnë dhunë ndaj grave, të cilat edhe vriten, ani pse raportojnë dhunën në organet që sipas aktivistes janë në njohuri të rasteve, por, nuk reagojnë.

“Një ndër hapat më të rëndësishëm që do duhej të merrej, është krijimi i departamenteve të veçanta për trajtimin e dhunës ndaj grave, si dhe monitorimi i tyre nga shoqëria civile, e gjithashtu të sigurohemi që aty do të jenë njerëz të cilët vërtetë dhunën ndaj grave e konsiderojnë krim dhe e trajtojnë si të tillë. Gjithashtu, do të duhej të dënoheshin zyrtarët përgjegjës për mosefikasitet, për mos dënimin e dhunuesit e që pastaj ai lehtësisht ka kryer dhunë apo edhe vrasjen e një gruaje. Pra, gjykatësi, prokurori por edhe polici do të duhej të dënoheshin, nëse një rast i denoncimit të dhunës, nuk do te trajtohej me seriozitetin e duhur, e që do te çonte deri te vrasja e gruas që ka paraqitur dhunën ndaj saj” shtoi aktivistja.

Zana tregoi edhe se ka bërë kritika ndaj grave në pushtet që nuk reagojnë kur një tjetër femër është cak i sulmeve të ndryshme dhe tha se gjithçka do ndryshojë nëse çlirohemi nga pushteti i burrave patriarkal.

Kujtojmë që në Kosovë nuk janë të pakta rastet kur dhunuesve u jepet dënim i ulët dhe madje, u zbritën edhe vjet e burgimit edhe pse kryen vrasje ndaj bashkëshorteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat