Armend Zemaj premtoi e nuk e bëri: Spitali për COVID-19, dështoi

Aktuale

Armend Zemaj premtoi e nuk e bëri: Spitali për COVID-19, dështoi

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 11:48
Foto Ilustrim

Në shtator të viti 2020, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kishte deklaruar se “Spitali për COVID-19” me 500 shtretër do të finalizohet brenda pak ditësh. Por ky spital nuk është askund as tani pas pesë muajsh.

E finalizimin  tij, duket se ministri në largim e ka lënë në harresë, tashmë po merret me fushatë parazgjedhore.

I gjithë ndërtimi i këtij spitali ishte paraparë të kalojë nëpër tri faza.

Mediat dy herë kanë dërguar pyetje në ministrin e Shëndetësisë për këtë çështje, por në asnjërën email nuk janë përgjigjur.

Edhe pse aktualisht nuk ka numër shumë të madh të pacientëve me Covid-19 në klinikat Covid të QKUK-së, është paralajmëruar që numri i rasteve mund të rritet për shkak të tubimeve të mëdha të partive politike, të cilët po bëjnë fushatë duke mos respektuar masat antiCoivd, si dhe konfirmimi i rasteve të variantit të ri britanik. Po ashtu sfidë për Kosovën po vazhdon të mbetet edhe vaksinimi i popullatës kundër koronavirusit.

Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë për lajmi.net se gjendja nuk është e mirë, dhe tubimet e partive politike si dhe varianti i ri i Covid-19 do ta rëndojnë akoma më shumë gjendjen.

Ramadani ka thënë se gjendjen akoma më të rëndë e bënë fakti se ende nuk kemi një program të mirëfilltë, në kuptimin së kur do të fillojë vaksinimin, si metodë që do ndikonte në zvogëlimin e kësaj sëmundje.

“Masat nuk po respektohen, vaksinimi nuk ka filluar, kështu që këto janë dy elemente bazë, pra arma kryesore që ta luftojmë, pandeminë, e mendoj që këto të dyja i kemi jashtë, nuk i kemi të kontrolluara dhe nuk i kemi në nivelin duhur. Vaksinimin pra ende nuk  ka nis e kemi zero, ndërsa masat nuk po respektohen fare. Tubime që po behën në formë masive nga partitë politike, ku nuk respektohen masat ligjore antiCovid, siç është kufizimin i njerëzve ose ma pak njerëz të grumbulluar, mbajtja e maskës edhe distanca në asnjë mënyrë nuk po respektohen. Këto janë  bazat thelbësore që të ndalet virusi, për fat të keq edhe njerëzit që mbajnë pozita, institucione të larta, në vend që t’iu përmbahen rregullave antiCovid, ata po bëjnë fushata, po e thyejnë ligjin antiCovid, pra nuk po i respektojnë masat”, ka thënë Ramadani.

Ndërkohë, Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi u ka thënë sot medieve se numri i të shtrirëve në klinikat Covid këtyre ditëve është rreth 500 pacientë.

Ai ka thënë se ka hapësira të mjaftueshme për t’u trajtuar pacientët.

Krasniqi tutje ka thënë se institucionet shëndetësore rekomandojnë që të ndalohen vizitat në klinikat ku janë duke u trajtuar pacientët për covid-19.

Ndryshe, që nga fillimi pandemisë në muajin mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë është është 61.086 raste nga 240.696 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.509 raste të vdekjes, janë shëruar  53.017 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.560. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat