Kurti paralajmëron Hotin: Kjo do të jetë puna e parë si kryeministër

Aktuale

Kurti paralajmëron Hotin: Kjo do të jetë puna e parë si kryeministër

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 22:37
Albin Kurti

Kandidati për kryeministër i VV’së, Albin Kurti, ka thënë se nëse formon qeverinë e re pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, do t’i hedhë poshtë shumicën dërmuese të vendimeve qeverisë Hoti.

Kështu premtoi Kurti në Dukagjin, duke thënë se ky do të jetë veprimi i parë ose një ndër veprimet e para të tij nëse bëhet kryeministër.

“Ne një ndër vendimet e para që do të bëjmë, për të mos thënë vendimi i parë si qeveri e re është se nga kjo qeveri që ishte do ta bëjmë një rishikim të të gjitha vendimeve dhe natyrisht që mendoj se shumicën dërmuese të tyre (vendimeve) do t’i kthejmë mbrapsht, do t’i hedhim poshtë”, është shprehur Kurti.

 Tutje, ai foli edhe për departizimin e bordeve ku premtoi se do ta bëjë një veprim të tillë.  

“Departizimi (i bordeve) të cilin ne e synojmë, bëhet nëpërmjet komisioneve dhe paneleve intervistuese profesionale, të cilat i karakterizon transparenca radikale dhe në anën tjetër bashkëpunimi me faktorët ndërkombëtar të cilët për vite të tëra janë ankuar për korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar në Kosovë. Dhe në qeverinë tonë, e fitojnë shansin që fjalët e tyre të bëhen vepra në shtetin tonë”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, anëtarët e rinj të bordeve të ndërmarrjeve publike do të jenë profesionistë, por jopartiakë.

“Pra, profesionistë, por jodomosdoshmërishtë jopolitikë. Por, gjithsesi jopartiakë”, ka thënë Kurti.

Ai gjithashtu tha se në qeverinë nuk do ta rritë numrin e ministrive në më shumë se 15 sosh.

“Ne nuk do të shkojmë përtej numrit të ministrive që kemi pasur në pranverën e vitit 2020, pra asokohe kishim 15 ministri, përfshirë aty edhe ministritë që vijnë me ministra nga komunitetet, e që janë obligim kushtetues. Për çdo ministri, s’do të kemi më shumë se dy zv.ministra”, shtoi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat