Bashkëpunim i mundshëm me Listën Serbe? Flasin nga Vetëvendosje

Aktuale

Bashkëpunim i mundshëm me Listën Serbe? Flasin nga Vetëvendosje

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 15:48
Albin Kurti

Kosova është shtet multietnik dhe me Kushtetutë ajo i garanton përfaqësimin në parlament të gjitha komuniteteve etnike, mirëpo nëse shumicën qeverisëse pas zgjedhjeve të 14 shkurtit do ta fitojë Lëvizja Vetëvendosje, ajo nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe.

Anëtarë të LVV-së kanë deklaruar më parë në Euronews Albania se nuk do të ketë bashkëpunim me asnjë parti tjetër shqiptare, gjë që ka lënë hapësirë për bashkëpunim me parti të komuniteteve.

Hysamedin Feraj, kandidat për detputet i Vetëvendosjes, në një intervistë për Euronews Albania, mohoi që bashkëpunimi i mundshëm të jetë me Listën Serbe.

"Lëvizja Vetëvendosje e ka formuar qeverinë. Është e vetmja që nuk ka pasur koalicion me Listën Serbe për krijimin e qeverisë. Kur flitet për minoritete nuk identifikohen me listën serbe prandaj nuk është fjala për atë organizatë por është fjala për minoritete ose kandidatë me kombësi serbe të cilët janë jashtë dhe kundër listës serbe", tha Hysamedin Feraj.

Feraj theksoi se nuk sheh asnjë parti që mund të jetë partnere e Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar qeverinë apo për zgjedhjen e presidentit.

Ai tha se fushata për LVV-në ka shkuar mirë dhe kanë gjetur mbështetje ndërkohë që shtoi se më tepër se dialog kanë hasur akuza e shpifje të pabazuara në argumente politike.

“Nëse do të jemi të detyruar të kemi një partner do të marrim një vendim gjatë procesit, por nuk mund ta them këtë paraprakisht,” – u shpreh kandidati për deputet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat