Përfaqësuesit e partive politike japin parashikimet e tyre për zgjedhjet e së dielës

Aktuale

Përfaqësuesit e partive politike japin parashikimet e tyre për zgjedhjet e së dielës

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 13:27
Kuvendi i Kosovës

Që kur janë shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2021, nëpër studio televizive e rrjete sociale janë prezantuar sondazhe nga më të ndryshme. E shpeshherë, rezultatet e këtyre sondazheve nuk janë pranuar nga subjektet politike, të cilat i kanë cilësuar si sondazhe të porositura.

Megjithatë, edhe përfaqësues të subjekteve politike kanë dhënë parashikimin tyre për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje;

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se partia e tij në këto zgjedhje do të dalë e para, duke siguruar kështu 62 ulëse në Kuvend.

“LVV 62 ulëse, komunitetet 20, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës 15 ulëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 ulëse”, thotë Muja në parashikimin e tij në RTV Dukagjini.

Partia Demokratike të Kosovës;

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka dhënë parashikimin e tij sa i përket zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Sipas Tahirit, PDK në këto zgjedhje do të dalë e para, me 32 ulëse në Kuvend.

“Partia Demokratike e Kosovës 32 ulëse, Lëvizja Vetëvendosje 28 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 24 ulëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 ulëse”, ka pohuar Tahiri.

Lidhja Demokratike të Kosovës;

Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka pohuar së partia e tij do të dalë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke siguruar 31 ulëse në Kuvend.

“Lidhja Demokratike e Kosovës 31 ulëse, Lëvizja Vetëvendosje 27, Partia Demokratike e Kosovës 25, komunitetet 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 10, Nisma Socialdemokrate 7”, ka deklaruar Veliu.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës;

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Dardan Islami, ka dhënë parashikimin e tij për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sipas Islamit, LVV do të jetë partia e parë, pastaj LDK.

“Lëvizja Vetëvendosje 44, Lidhja Demokratike e Kosovës 21, komunitetet 20, Partia Demokratike e Kosovës 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 15”, është shprehur ai.

Nisma Socialdemokrate;

Kandidati për deputet nga Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka dhënë parashikimin e tij për zgjedhjet e së dielës, duke pohuar se LVV do të sigurojë 44 ulëse.

“Nisma Socialdemokrate 7 ulëse, Lëvizja Vetëvendosje 44 ulëse, komunitetet 20, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Partia Demokratike e Kosovës 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 9”, ka potencuar ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentarë do të mbahen më 14 shkurt, ku në garë për kryeministër janë katër kandidatë: Albin Kurti (LVV), Enver Hoxhaj (PDK), Avdullah Hoti (LDK), Fatmir Limaj ( Nisma Socialdemokrate).

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ( KQZ) është duke bërë përgatitjet finale për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, më 14 shkurt.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Telegrafin se kanë arritur fletëvotimet, dhe të shtunën do të shpërndahen në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.

“Mund t’iu konfirmoj se fletëvotimet kanë arritur në Kosovë. Të shtunën do të shpërndahen në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndërsa të dielën në mëngjes për në 888 qendra të votimit të cilat kanë gjithsej 2 mijë e 382 vendvotimet”, theksoi Elezi.

Në Listën Përfundimtare të Votuesve, votues me të drejtë vote për këto zgjedhje janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, ndërsa janë shtypur 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime përfshirë fletëvotimet rezervë.

Sot (12 shkurt) është afati i fundit që të mbërrijnë votat nga diaspora, po ashtu sot përfundon edhe fushata zgjedhore e subjekteve politike. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat