Hoxhaj: Nëse Kurti i thotë jo dialogut dhe po bashkimit kombëtar, ngriten dilema tek partnerët tanë

Aktuale

Hoxhaj: Nëse Kurti i thotë jo dialogut dhe po bashkimit kombëtar, ngriten dilema tek partnerët tanë

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 22:39
Enver Hoxhaj

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzoj momentumin ku presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, në letrën e dërguar Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq kërkonte njohjen e Kosovës.

Hoxhaj në Rubikon tha se pas kësaj letre Kosova ka një klimë të përshtatshme për ta përmbyllur shtetndërtimin.

“Tema të tilla sikur qëndrimi pro apo kundër bashkimit kombëtar flasin për diçka tjetër. Mendoj se të vetmin momentum që ka Kosova aktualisht me Joe Biden si president i SHBA-ve dhe mik i mirë i Kosovës dhe si një njeri që kur qon letër tek ushtruesja e presidentes e përmend edhe djalin e tij – tregon lidhjen e tij familjare me një shtet të ri të Ballkanit. Kjo flet se ne kemi një klimë shumë të përshtatshme që ta përmbyllim shtetndërtimin”.

Hoxhaj tha se nëse kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, i thotë jo dialogut me Serbinë dhe tërthorazi po bashkimit kombëtar kjo do të ngriste dilema tek partnerët tanë.

“Por, nëse zotëri Kurti i thotë jo dialogut dhe i thotë po tërthorazi bashkimit kombëtar kjo ngrit dilema tek partnerët tanë dhe vetë qytetarët e Kosovës”.

“Mendoj se përtej asaj që mendon secili qytetarë i Kosovës në ndërgjegjen e tij se bashkimi kombëtar është zgjidhje – përtej kësaj mendoj se tema të tilla janë tema edhe të politikës ndërkombëtare”.

“Kur je kryeministër e peshon shumë mirë se çfarë thua në një medium të caktuar se jam shumë i sigurt se një intervistë e tillë po keqpërdoret prej kundërshtarëve të Kosovës në baza ditore në shtypin Evropian dhe më gjerë”, tha Hoxhaj.

“Përshkrimi i tij [Kurtit] i punës është të ruaj shtetin e Kosovës, përshkrimi i tij i punës është ta përmbyll shtet ndërtimin e Kosovës”.

Tutje Hoxhaj tregoi se ka një drejtim që pret bashkëpunim të mirë me Kurtin.

“Për temat e politikës së jashtme mendoj së unë dhe zotëri Kurti do të kemi shkëmbim shumë të mirë”, u shpreh Hoxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat