Zemaj: Së shpejt nis vaksinimi në Kosovë

Aktuale

Zemaj: Së shpejt nis vaksinimi në Kosovë

Më: 5 mars 2021 Në ora: 14:56
Armend Zemaj

Me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve për zbatimin e masave anti-COVID, si dhe përgatitjen për fushatën e vaksinimit, sot Ministria e Shëndetësisë ka lansuar kampanjën “Bashkë Kundër COVID-19”, ku edhe njëherë u tha se shpejt në Kosovë do nis vaksinimi i qytetarëve kundër kësaj pandemie.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se përmes kësaj fushate dërgohen mesazhe të qarta për zbatim të masave anti-COVID. Po ashtu, me këtë kampanjë synohet të rritet niveli i vetëdijes së qytetarëve për vaksinimin, i cili siç tha ai pritet të nis së shpejti në Kosovë.

“Lansimi i një fushate me mesazhe të qarta që bënë thirrje për zbatim të masave në fuqi dhe përgatitjen për fazat e mëtejme të kontrollit dhe luftimit të pandemisë, është një dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për të vazhduar me aktivitetet që synim primar ka mbrojtjen e shëndetit publik të popullatës sonë me fokus parandalimin apo shkëputjen e zinxhirit të përhapjes së mëtejmë të infeksionit…. Fushata ‘Bashkë Kundër COVID-19’ është një dëshmi e këtij përkushtimi dhe ne besojmë që ajo do ketë ndikim në uljen e numrit të infeksioneve me COVID, përmes ngritjes së vetëdijes për masat në fuqi higjiena, bartja e maskës dhe distancës. Gjithashtu, do ngris nivelin e njohurive të popullatës sonë për rëndësinë e vaksinimit kundër COVID-19 që pritet të filloj shumë shpejt edhe në vendin tonë“, theksoi Zemaj.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se përmes kësaj kampanja po synojnë ndërgjegjësimin e qytetarëve të Kosovës për zbatimin e masave anti-COVID.

Ai po ashtu deklaroi se me fushatën “Bashkë Kundër COVID-19”, ka për qëllim edhe përgatitjen për fushatën e vaksinimit kundër kësaj pandemie.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat