IKD: Gjykatësit e Supremes vazhdojnë të marrin shtesa në kundërshtim me ligjin

Aktuale

IKD: Gjykatësit e Supremes vazhdojnë të marrin shtesa në kundërshtim me ligjin

Më: 13 mars 2021 Në ora: 13:59
Instituti i Kosovës për Drejtësi

Instituti i Kosovës për Drejtësi mbajti konferencë për media në të cilën publikoi raportin “Ligjshmëria përfitimeve në Gjykatën Supreme të Kosovës”, raport i arritur falë përkrahjes së Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it.

Autori i këtij raporti, hulumtuesi pranë IKD-së, Lavdim Bajraktari, tha se përkundër miratimit të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, zbatimi i tyre në praktikë nga gjykatësit e Supremes po vazhdon të has në pengesa.

Sipas tij, edhe pse ky ligj ka përcaktuar ndalesa të qarta për mos ushtrimin e më shumë se një detyre nga zyrtarët e lartë publikë në Kosovë, ku hynë edhe gjyqtarët e Gjykatës Supreme, ata kanë vazhduar që në kundërshtim me ligjin, të realizojnë edhe mijëra euro në emër të shtesave, mëditjeve e kompensimeve, krahas pagës së tyre bazë.

Sipas raportit, shkelje tjetër nga gjyqtarët e Supremes është edhe mos deklarimi i pasurisë në përputhje me ligjin për Deklarimin e pasurisë, i cili ligj kërkon që secila e ardhur të deklarohet sipas shumës, llojit dhe burimit të saj.

Në konferencë u tha se pagat e zyrtarëve të lartë qe punojnë në Gjykatën Supreme janë ndër më të paguarit në Kosovë.

Bajraktari: Gjykatësit e Supremes, zyrtarët më të paguar në Kosovë

“Këta zyrtarë të cilët punojnë në Gjykatën Supreme, janë zyrtarët më të paguar thuajse në Kosovë. Kryetari i Gjykatës Supreme ka një pagë bazë mujore që është 2,950 euro, kurse gjyqtarët kanë pagë bazë që shkon në 2,655 euro. [...] Kushtetuta e Kosovës është më strikte sa i përket pajtueshmërisë së funksionit të gjyqtarit, me papajtueshmërinë e ushtrimit të funksioneve të tjera mirëpo nuk është që përcakton kushte strikte sa i përket çështjeve monetare, sa i përket papajtueshmërisë se ushtrimit te funksioneve të tjera nga gjyqtari, Kushtetuta e përcakton qartë në nenin 106 se një gjyqtar nuk mund te ushtroje ndonjë funksion në institucione shtetërorë qe dalin jashtë gjyqësorit”, tha ai.

Neni 13.2 i Ligjit për parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e Funksionit Publik ndalon zyrtarët e lartë te jenë anëtarë i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike.

Nëse parashihet ndryshe me ligj këta zyrtarë nuk kanë të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës se kompensimit të shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të lidhura me të.

Bajraktari: Ligji për konflikt interesi synon forcimin e integritetit publik të gjyqtarëve

“Kuvendi i Kosovës në vitin 2018 kishte miratuar edhe një ligj, që është Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Qëllimi i këtij ligji ka qenë forcimi i integritetit publik të gjyqtareve në Kosovë dhe për të arritur tek këto objektiva kishte caktuar disa ndalesa të qarta për zyrtarët e lartë publikë ku hyjnë këtu edhe gjyqtarët e Supremes, pra ndalesa të tilla kishin të bëjnë me mos ushtrimin e më shumë se sa një funksioni udhëheqës nëpër institucione të tjera përveç kur kërkohet me ligj”, tha ai

Gjithashtu në këtë raport përfshihet edhe deklarimi i pasurisë nga gjykatësit e cila nuk është në përputhje me Ligjin për deklarimin e pasurisë, ligj i cili kërkon që secila e ardhur të deklarohet sipas shumës, llojit dhe burimit.

Një deklarim i tillë, sipas Bajraktarit, e bën të pamundur për publikun të identifikojë se sa nga të ardhurat që gjyqtarët kanë pranuar kanë qenë pagë e sa nga to kanë qenë shtesa, mëditje e kompensime të tjera.

Bajraktari: Deklarimet e pasurisë nuk ndahen sipas ligjit

“Po ashtu një problem tjetër që kemi hasur tek këta gjyqtarë, por edhe tek zyrtarë të tjerë publikë të cilët i kemi hulumtuar ka të bëjë me mënyrën e se si e kanë deklaruar të njëjtin pasurinë, përkundër qe Ligji për deklarimin e pasurisë e përcakton qartë te ardhurat që duhet të deklarohen, duhet të ndahen sipas shumës, llojit dhe burimit të tyre, se nga i kanë marrë në praktikë. Ne kemi hasur thuajse në një shumicë të gjyqtareve, të cilat këto të ardhura i deklarojnë të gjitha së bashku, pa i ndarë sipas shumës, llojit dhe burimit të tyre”, tha ai.

Yll Zekaj, hulumtues i lartë në IKD, tha se nisur nga gjetjet e këtij raporti, si IKD kanë dalë me disa rekomandime për institucione sikurse, Qeveria, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Agjencia Kundër Korrupsion.

Për Agjencinë Kundër Korrupsion tha se nuk duhet të mos pranojë formularët për deklarimin e pasurisë te cilët nuk janë në përputhje me ligjin, dhe te iniciojë procedura disiplinorë për ata gjyqtare që shkelin këto ligje.

Zekaj: Formularët për deklarimin e pasurisë të mos pranohen nëse nuk janë sicc kërkohen

“I rekomandohet Agjencionit Antikorrupsion që të mos pranojë formularët të cilat nuk janë në frymën e Ligjit për deklarimin e pasurisë qysh i kemi edhe rastet tani që faktikisht gjyqtarët e Gjykatës Supreme nuk e kanë deklaruar të njëjtën në harmoni me këtë ligj. Gjithashtu të iniciojë procedura disiplinore ndaj secilit gjyqtar i cili bjen ndesh me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, tha ai

Zekaj tha se i rekomandojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës që gjatë plotësim/ndryshimit të kornizës ligjore, të sigurohet që e njëjta të jetë në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, përkatësisht me dispozitat kushtetuese ku kërkohet që gjyqtari nuk mund të ushtrojë ndonjë funksion në institucionet shtetërore jashtë gjyqësorit, të jetë i përfshirë në ndonjë aktivitet politik ose ndonjë aktivitet tjetër të ndaluar me ligj.

Po ashtu, Zekaj tha se i rekomandojnë KGJK-së që në pajtim me obligimet kushtetuese, të sigurohet që gjyqtarët të mos caktohen në mekanizma shtetërorë të cilët cenojnë integritetin dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor si dhe i njëjti Këshill, në pajtim me obligimet që dalin nga Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, të sigurohet që gjyqtarët të mos marrin kompensime shtesë gjatë orarit të punës, dhe në raste kur kjo nuk zbatohet mekanizmat e sistemit gjyqësor të iniciojnë procedura disiplinore ndaj gjyqtarëve.

Lidhur me këtë, Zekaj tha se KGJK-së i kanë rekomanduar që të bëj plotësim/ndryshimet në legjislacionin e saj sekondar ashtu që të ndalojë pagesat shtesë për angazhimin e gjyqtarëve në komisione gjatë orarit të rregullt të punës, në mënyrë që të harmonizohen këto rregulla të brendshme me kornizën ligjore e kushtetuese në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat