Pasi u konfirmua deputete, Duda Balje u bën një premtim shoqërisë civile dhe mediave

Aktuale

Pasi u konfirmua deputete, Duda Balje u bën një premtim shoqërisë civile dhe mediave

Nga: A.Zh Më: 13 mars 2021 Në ora: 20:10
Duda Balje

Duda Balje nga Unioni Social Demokrat, ka falënderuar mediat dhe Institutin e Kosovës për Drejtësi, për angazhimin e tyre në arritjen e drejtësisë me rastin e manipulimit të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ajo ka publikuar një fotografi ku shihet me një bluzë me flamurin e Kosovës, duke shkruar në Facebook, se drejtësia në Kosovë ka emër, përcjell Bota sot.

Balje ka premtuar se do të angazhohet në Kuvendin e Kosovës si deputete për avancimin e ligjshmërisë për rrjedhat e ardhshme të shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë.

Postimi i saj i plotë:

Drejtësia ka emër

Ndjej obligim njerëzor, moral dhe politik që nga thellësia e zemrës t'iu falënderohem të gjitha mediumeve dhe Institutit Kosovar të Drejtësisë - IKD ( dhe shoqërisë civile kosovare) për angazhimin dhe përkrahjen e pashoqë në arritjen e drejtësisë me rastin e manipulimit të votave në këtë proces zgjedhor.

Mediumeve të shtetit tim Kosovës ju falënderohem për ngritjen e zërit të pareshtur kundër padrejtësisë që u përpoq të bëhet. Pa zërin e juaj sot drejtësia do të ishte e mangët për të vërteten. Ju jeni shembulli më domethënës i lirisë dhe demokracisë të shtetit tonë. Përkulem para jush dhe besimit tuaj se drejtësia do të ngadhënjejë!

IKD i falënderohem për profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe kuptim plotë. IKD është sinonim i vlerave të demokracisë së drejtësisë dhe njohurive të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së shtetit të Kosovës.

Shoqërisë civile i falënderohem përjetësisht që mbrojti dhe kultivoi drejtësinë deri në fund. Shoqërisë tonë civile duhet t'ia ketë lakmi edhe shteti me demokracinë më të avancuar në botë! Kosova jonë ka me çka të mburret.

Nga ana ime ju premtoj dhe zotohem para jush që mishërisht do të angazhohem në Kuvendin e Republikës të Kosovës për avancimin e ligjshmërisë për rrjedhat e ardhshme të shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë.

Zoti i bekoftë mediat e Kosovës!

Zoti e bekoftë shoqërinë tonë civile!

Zoti e bekoftë shtetin e Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat