Njihuni më tepër me Hajrulla Çekun, ministrin e ri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Aktuale

Njihuni më tepër me Hajrulla Çekun, ministrin e ri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Më: 23 mars 2021 Në ora: 11:16
Hajrullah Ceku

Në Qeverinë e re të Kosovës me Albin Kurtin kryeministër, dje është vendosur që Hajrulla Çeku të udhëheqë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila deri më tani ishte udhëhequr nga Vlora Dumoshi.

Harjulla Çeku në legjislaturën e kaluar të Kuvendit ishte deputet në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse më herët ishte udhëheqës i OJQ-së “Ec ma ndryshe”.

Për tu njohur më tepër me Hajrulla Çekun, po ju sjellim disa informata për ministrin e ri.

Hajrulla Çeku është lindur në vitin 1983 në Prizren. Ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, drejtimi “Shkenca Politike” dhe ka magjistruar në “Qeverisje dhe Zhvillim Lokal” në Universitetin e Trentos, Itali dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani. Për 15 vite ka qenë pjesë e shoqërisë civile i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit. Ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës.

Përgjatë viteve u angazhua në shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare. Ka qenë dhe vazhdon të jetë i angazhuar në shumë prej tyre. Ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Kosovar të Turizmit, ndërsa në cilësinë e ekspertit të jashtëm ka përkrahur hartimin e politikës nacionale për konservim të integruar të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ka qenë zëvendës-ministër i Turizmit dhe Mjedisit në qeverinë e Shqipërisë.

Hajrulla Çeku ka përfunduar disa programe ndërkombëtare të aftësimit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të drejtat e njeriut, menaxhimin e turizmit, shkathtësitë e lidershipit në Shtetet e Bashkuara, Maltë, Gjermani, Belgjikë, Kroaci dhe Francë.

Çeku u zgjodh deputet në legjislaturën 2019-2021 dhe gjatë kësaj periudhe ishte Kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, anëtar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis dhe anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim. Po ashtu ka qenë udhëheqës i Forumit për Transparencë Parlamentare, dhe pjesë e Grupit të Deputetëve të Gjelbër.

Përveç gjuhës amtare, flet gjuhën angleze, turke dhe serbe. Ai është i martuar dhe ka një vajzë.

Ndryshe, për Qeverinë Kurti 2 kanë votuar 67 deputetë ndërsa kundër kanë votuar 30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat