Agim Veliu në ditën e fundit në Ministri e shpërblen me kontratë 200 mijë € biznesmenin e LDK-së

Aktuale

Agim Veliu në ditën e fundit në Ministri e shpërblen me kontratë 200 mijë € biznesmenin e LDK-së

Më: 25 mars 2021 Në ora: 19:00
Agim Veliu dhe Ragip Mustafa

Agim Veliu është kujdesur që në ditën e fundit të tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme ta shpërblejë më kontratë në vlerë prej 200 mijë euro biznesmenin Ragip Mustafa, i cili është edhe anëtar i Këshillit të përgjithshëm të LDK-së.

Dita e fundit e Veliut në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka qenë 22 marsi 2021, pëkatësisht kur u votua në Kuvend Qeveria “Kurti 2”, përderisa kontrata për shërbime hoteliere-ushqim dhe pije mes Ministrisë së Punëve të Brendshme me kompaninë “Beni Dona Plast SH.P.K”, pronar i së cilës është Ragip Mustafa, është nënshkruar po të njëjtën ditë, ndonëse një kontratë ekzistuese ka qenë në fuqi deri më 24 mars 2021.

Sipas kontratës e njëjta është nënshkruar me 22 mars 2021, përderisa është planifikuar të hyjë në fuqi pas skadimit të kontratës ekzistuese, më 24 mars 2021 dhe të zgjasë për një periudhë 3 vjeçare.

 

Në nenin 3 të kontratës thuhet se çmimi për njësi për shërbime hoteliere dhe pije është 23.73 €, kurse çmimi në bazë të peshimit, çmimi për njësi është 3.96 €.

“Vlera e parashikuar e kontratës për Pjesa (Llot 1) në shumë prej 200 mijë euro”, thuhet mes tjerash në kontratë.

Përpos nga u.d i Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit dhe sekretarit të përgjithshëm në MPB, kontrata është nënshkruar edhe nga Agim Veliu si ministër i Brendshëm më 18 mars 2021, ndërsa përfaqësuesja e kompanisë “Beni Dona” kontratën e ka nënshkruar më 22 mars 2021.

Përndryshe, Ragip Mustafa nga 14 marsi 2021 është pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Mustafa me biznesin e tij “Beni Dona Plast” ka fituar shumë tenderë nga Komuna e Prishtinës, derisa kjo e fundit është udhëhequr nga Isa Mustafa, ish-kreu i LDK-së, por edhe nga Ministritë që i ka drejtuar LDK-ja si: Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK-ja), etj.

Për këtë tender të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila ka shpallur fitues kompaninë “Beni Dona”, në fund të vitit 2020 ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), operatori ekonomik “Luzern”- Prishtinë, i cili pretendonte se Ministria e Punëve të Bredshme ia ka bërë të padrejtë.

Në seancën virtuale të OSHP-së të mbajtur më 21 janar 2021, përfaqësuesi i MPB-së, Armend Rugova, ka deklaruar se operatori ankues nuk i ka përmbushur kriteret e përcaktuara të tenderit. “Kërkesa ka qenë që operatori ekonomik t’i ketë 3 kuzhinierë dhe 2 zv/kuzhinierë. Operatori ankues ka ofruar vetëm dy kuzhinierë dhe ka luajtur me emrin e një zv/kuzhinieri”, ka deklaruar Rugova në seancën e OSHP-së.

Pesë ditë më vonë (26 janar 2021) Paneli Shqyertues i OSHP-së ia ka aprovuar si pjesërisht të pabazuar ankesën operatorit ekonomik “Luzern”. MPB-ja ka pasur afat 10 ditor që ta informojë me shkrim Panelin Shyqrtues për të gjitha veprimet e ndërmarra në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit.

Përndryshe, në lidhje me këtë kontratë të nënshkruar portali Front Online gjatë ditës së enjten nuk ka arritur të kontaktojë me Veliun por as me biznesmenin Ragip Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat