OBSH: Kosova po përballet me një valë të re të Koronavirusit

Aktuale

OBSH: Kosova po përballet me një valë të re të Koronavirusit

Më: 27 mars 2021 Në ora: 20:02
Kosova po përballet me rritje të hovshme të rasteve me koronavirus

Edhe këtë javë pasojat nga përhapja e koronavorisit në vend ishin shqetësuese. Për gjashtë ditë u regjistruan 70 të vdekur dhe 4882 të infektuar. Në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë thonë se vendi ynë po ballafaqohet me një fazë të re të Covid-19.

Këto ditë Kosova po përballet me rritje të hovshme të rasteve me koronavirus.

Kjo rritje e vdekshmërisë dhe infektimeve është shqetësuese për infektologun Hamdi Ramadani.

“Kjo rritje e trendit të sëmurëve si në aspektin e sëmundjes, ashtu edhe numri i rasteve po tregon që gjendjen e kemi të keqe, gjendjen e kemi të rëndë dhe kapacitetet spitalore për mjekimin e rasteve me indikacione mjekësore për trajtim, veç bazuar në të dhënat e ditëve të fundit, është në buzën e limitit. Klinika Infektive nga dje nuk e ka asnjë shtrat të lirë për t’i pranuar rastet e nevojshme”, tha Ramadani.

Shqetësim për rritjen e infektimeve me Covid-19 shpreh edhe Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve.

Në zyrën e OBSH në Kosovë tregojnë arsyet e kësaj situate me koronavirus. Thonë se Kosova po përballet me një fazë të re të Covid-19.

“Rritja e numrit të rasteve është kryekëput lëvizje natyrale e sëmundjes e cila ka ngritjet dhe ramjet e veta. Edhe shtetet e rajonit edhe Kosova është duke kaluar në fazën e tretë dhe të katërt të sëmundjes”, tha Isma Humolli.

Marrë parasysh gjendjen e tanishme me koronavirus infektologu Hamdi Ramadani propozon shtrëngimin e masave.

Aktualisht në Kosovë janë mbi 13 mijë raste aktive me koronavirus.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat