Këta janë personat e parë që do të vaksinohen në Kosovë

Aktuale

Këta janë personat e parë që do të vaksinohen në Kosovë

Më: 28 mars 2021 Në ora: 12:28
Ilustrim

Sot Kosova do të furnizohet me vaksinat Anti-COVID të AstraZenecas nga COVAX. Ata që do të vaksinohen të parët me to do të jenë punëtorët shëndetësorë në vend.

Ndonëse nga Ministria e Shëndetësisë është thënë disa herë se Kosova ka plotësuar kriteret për furnizim me vaksina, vendi është një ndër vendet e fundit që po furnizohet sot me vaksina.

Nga 100 mijë e 800 doza të vaksinave të premtuara në raundin e parë të furnizimit, sot Kosova do të furnizohet me 24 mijë doza.

Pjesa tjetër e tyre është premtuar të vie deri në muajin maj.

Ndërsa, institucionet kompetente shëndetësore në Kosovë në muajin shkurt kanë hartuar Planin shtetëror të vaksinimit kundër COVID -19. Në bazë të këtij plani, Komiteti për Vaksinim ka paraparë që pas futjes në përdorim të vaksinës, procesi të realizohet në tri faza.

Me ardhjen e vaksinave, ata që do të vaksinohen të parët do të jenë një pjesë e punëtorëve shëndetësorë, personave të moshuar mbi 80 vjeç dhe të moshuarve dhe qytetarëve me sëmundje kronike.

Pjesa tjetër e qytetarve, do të vaksinohet me vaksinat tjera që pritet të vinë deri në muajin maj.

Ndërsa, në disa komuna tashmë janë bërë edhe përgatitjet për vaksinimin e qytetarëve.

Në Prishtinë është përgatitur salla “1 Tetori” si qendër për vaksinim, ku pritet të vaksinohen edhe punëtorët shëndetësorë.

Kurse në komunat tjera vaksinimi do të kryhet në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Me ardhjen e furnizimit me vaksina nga COVAX, kryeministri i vendit, Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të marrin pjesë në ceremoninë e pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave kundër COVID-19. Ky kontingjent është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX.

Kujtojmë që në mungesë të vaksinës, Shqipëria deri më tani ka vaksinuar rreth 500 punëtorë shëndetësorë të Kosovës me vaksinën e AstraZenecas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat