Varroset 15-vjeçari që u vra në Drenas, shokët e klasës i kushtojnë poezi të dhimbshme

Aktuale

Varroset 15-vjeçari që u vra në Drenas, shokët e klasës i kushtojnë poezi të dhimbshme

Më: 7 prill 2021 Në ora: 23:13
Arbnor Muja

Mes lotësh është përcjellë për në banesën e fundit 15-vjeçari, Arbnor Muja, që u vra mbrëmjen e së hënës në pyllin e fshatit Gradicë të Drenasit.

Në varrimin e 15-vjeçarit, shokët e klasës i kushtuan një poezi në nderim të tij.

“Të prekur shumë nga vdekja jote e hershme nuk besoj se ti nuk do të jesh më në mesin tonë. Fjala dhimbja është e pakët, në krahasim me atë që e ndjejmë për humbjen tende, Arbnor. E nisëm shkollimin për ta përfunduar bashkë. Këtë vit që e qanim që do ndaheshim nga shkolla, tani po e qajmë ndarjen tënde nga jeta. Nuk mund të besojë se si ai dhe mund ta pranojë brenda trupin tënd. Si dje, si sot, si nesër dhimbja dhe malli për ty do na djegë zemrat tona. Çdo fjalë e jotja do na këput shpirtin. Ti je lulja më e re e pranverës“, thuhet në letrën që e lexoi shoqja e klasës.

Plagë të rënda atë mbrëmje mori edhe Bekim Muja, babai i 15-vjeçarit, i cili që nga e hëna ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke marrë trajtimin e duhur mjekësor.

Gjatë ditës Shefi i Klinikës Intensive në QKUK, Shaqir Uka tha për Indeksonline se gjendja e pacientit vazhdon të jetë e rëndë.

“Vazhdon të jetë në gjendje shumë të rëndë, është i lidhur për aparatë të frymarrjes dhe me barna. Ka lëndime shumë serioze, nuk ka as edhe një ndryshim”, ka thënë Uka.

Motivet e vrasjes nuk dihen ende, as nga organet e rendit, e as nga familjarët e viktimës.

Dy të dyshuarit në këtë rast, A.Bardiqi, 19-vjeç dhe Xhafer Bardiqi, 54-vjeç dje janë vetdorëzuar në Policinë e Kosovës.

Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë po vazhdojnë punën hetimore për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat