Krimineli Sheshel thotë se Ushtria e Serbisë duhet të bëhet gati për të ndërhyrë në Kosovë

Aktuale

Krimineli Sheshel thotë se Ushtria e Serbisë duhet të bëhet gati për të ndërhyrë në Kosovë

Më: 11 prill 2021 Në ora: 21:31
Krimineli Vojisllav Sheshel

Kryetari i Partisë Radikale Serbe (SRS), krimineli Vojisllav Sheshel ka thënë se krijimi i poligonit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Mitrovicë të Jugut do t’i rrezikonte serbët në Kosovë.

Sheshel deklaroi në programin e mëngjesit të televizionit serb se ushtria serbe duhet të jetë e gatshme për të ndërhyrë rreptë në Kosovë.

“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Ushtria jonë duhet të jetë e gatshme nëse ai rrezik bëhet real, në mënyrë që të ndërhyjmë menjëherë. Është një pozicion shumë i rëndësishëm strategjikisht dhe prej andej i gjithë veriu i ‘Kosovës dhe Metohisë’ mund të kontrollohet me armë të mira artilerie. Është gjithashtu e rrezikshme pasi shqiptarët nuk kanë të drejtë në baza ushtarake. Ata nuk kanë të drejtë sipas Rezolutës 1244”, tha Sheshel për televizionin.

Kryetari i SRS-së theksoi se shqiptarët po ndërtojnë bazë ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit.

”Ato gjëra nuk po shkojnë mirë dhe ne do të duhet ta zgjidhim atë me disa masa më të rrepta një ditë. Do të ishte më mirë të arrihej një kompromis në mënyrë që Kosova dhe Metohija të mbeten pjesë e Serbisë, dhe shqiptarët të marrin një shkallë të lartë të autonomisë, dhe edhe ajo autonomi është e garantuar nga Këshilli i Sigurimit, por shkëputja e Kosovës dhe Metohisë nuk mund të jetë një opsion realist ose një temë diskutimi. Nuk ka asgjë për të folur, nuk duhet të lejohet”, tha Sheshel.

Sheshel ka qenë i dënuar për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi gjatë kohës sa ai ishte zëvendëskryeministër i Serbisë.

Ai u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës në shkurt të vitit 2003, por gjyqi i tij filloi deri në nëntor të vitit 2007.

Më 31 mars 2016, ai u shpall i pafajshëm në një vendim të shkallës së parë. Më 11 prill 2018, Dhoma e Apelit e prishi pjesërisht vendimin e shkallës së parë, duke e shpallur Sheshelin fajtor për krime kundër njerëzimit për shkak të rolit të tij në nxitjen e dëbimit të kroatëve nga Hrtkovci. Ai u dënua me 10 vjet burg, por për shkak të kohës së kaluar në paraburgimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Hagës, ai nuk ishte detyruar të kthehej në burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat