Kuçi thotë se Kurti lejoi që të njolloset UÇK-ja vetëm për ta eliminuar Thaçin nga skena politike

Aktuale

Kuçi thotë se Kurti lejoi që të njolloset UÇK-ja vetëm për ta eliminuar Thaçin nga skena politike

Më: 14 prill 2021 Në ora: 00:16
Natyra Kuçi

Natyra Kuçi nga PSD-ja ka thënë se kjo parti ka zgjedhur që përmes aksioneve simbolike, që një të tillë e organizoi edhe sot duke vendosur flamurin e UÇK-së para Presidencës, të shprehë qëndrimet e veta politike.

“Do të ishte mirë që edhe subjektet e tjera do të bënin aktivitete dhe aksione të tilla simbolike në vazhdimësi për çështje të ndryshme, sepse angazhimi politik asnjëherë nuk është në dëm të kauzave politike. Nëse e bëjmë për të rënë në sy nuk është në dëm të askujt, po nëse nuk e bëjmë është keq për politikën dhe demokracinë e vendit”.

“PSD-ja si parti që nuk është parlamentare e ka gjetur si formë të veten për të shfaqur qëndrimet e veta politike përmes aksioneve. Sot e kemi bërë një aksion te Presidenca e Kosovës ku kemi vendosur flamurin e UÇK-së për të treguar që kjo qeveri në vazhdimësi, prej kur e ka zgjedhur këshilltar të vetin Shkëlzen Gashin dhe tutje kur janë marrë në Hagë krerët e luftës së UÇK-së dhe për dy javë Albin Kurti nuk u deklaruar kemi një lloj të mohimit të UÇK-së dhe luftës çlirimtare të UÇK-së”.

“Shumë mirë që [në Vetëvendosje] është një person si përfaqësues i UÇK-së aty, por çka më tepër për Gjykatën Speciale. Çka me deklaratën ‘Shko Hashim’, çka me deklaratën e sotme të Ministres së Punëve të Jashtme e cila në Këshill të Sigurimit flet sikur është duke folur për konsum të brendshëm?”.

Kuçi, ka komentuar thirrjen që Albin Kurti i kishte bërë Hashim Thaçit për të shkuar në Hagë duke thënë se ai pranoi që të njolloset lufta për çlirim vetëm që të eliminojë disa individë nga skena politike.

“T’i thuash ‘Shko Hashim’ një personi që ka pasë ndikim kyç në luftën e UÇK-së në një gjykatë njëetnike e cila është bërë vetëm për tendencë për krimet njëetnike që gjoja se kanë ndodhur, një gjykatë speciale e cila është bërë për t’i dhënë hije si një luftë e cila është bërë nga një organizatë terroriste siç shkruan në Gjykatën Speciale, t’i thotë kreu i qeverisë një personi që e ka udhëheq luftën e Kosovës shko në atë gjykatë i bie që ai po heq dorë edhe nga përpjekja çlirimtare të Kosovës vetëm për ta mundur Hashim Thaçin”.

“Ne si PSD kemi qenë më të zëshmit kundër qeverisjes së Hashim Thaçit dhe qeverisjes së pasluftës. Nuk e gjen asnjë individ që nuk është angazhuar, burgosur dhe sakrifikuar në mënyrë që dënimi politik për udhëheqjen e pasluftës t’iu bëhet këtyre njerëzve. Mirëpo, të shkosh aq larg sa të duash që këta të burgosen dhe UÇK-ja dhe lufta për çlirim të njolloset vetëm për t’i çuar në Gjykatë Speciale dhe për t’i eliminuar nga skena politike disa individë nuk ka asnjë kuptim”.

“Si mund t’i thuash ‘shko’ nëse nuk pajtohesh me Gjykatën Speciale? Si mund të thuash që jam kundër Gjykatës Speciale dhe të mos i japësh votat në Kuvend për ta zhbërë atë meqë është ditur që me votat e Vetëvendosjes ajo gjykatë do të zhbëhej? Si mund të thuash që ne kemi qenë kundër dhe këtu përfundon përpjekja ime?”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat