Gjykimi për vrasjen me pagesë në Deçan, prokurorja bën ndryshimin e aktakuzës

Aktuale

Gjykimi për vrasjen me pagesë në Deçan, prokurorja bën ndryshimin e aktakuzës

Më: 15 prill 2021 Në ora: 14:29
Seanca

Pas kthimit të rastit në rigjykim nga Gjykata Supreme, Prokuroria Themelore e Pejës ka ndryshuar aktakuzën në rastin ku Bekim Raja, Murat Sinanaj, Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi, po akuzohen për vrasjen e të ndjerit Ferdinand Gjini.

Në seancën e mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Pejë, prokurorja Valbona Dishaj-Haxhsaj bëri rikualifikimin e veprës penale, nga vepra penale e bashkimit kriminal, në forma të tjera të bashkëpunimit.

“Sipas sygjerimeve të Gjykatës Supreme bëj përmisimin e dispozitivave të aktakuzës”, tha prokurorja Haxhosaj.

E njëjta shtoi se tani i pandehuri Bekim Raja akuzohet si shtytës i vrasjës së rëndë, Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi si bashkëkryes në ndihmën për kryerjen e vrasjes së rëndë, kurse i pandehuri Murat Sinanaj si kryes i vrasjes së rëndë.

Sipas prokurores Haxhosaj, kryes i veprës penale të vrasjes ishte i pandehuri Murat Sinanaj, ku këtij të fundit i kishin ofruar ndihmë edhe të pandehurit Gjon Pnishi dhe Avni Sinanaj, për realizimin e porosisë së shtytësit, Bekim Raja, në këmbim të shumave të hollave.

“Në veprimet e të pandehurit Bekim Raja qëndrojnë të gjitha elementet qenësore të veprës penale “shtytje në kryerjen e vrasjës së rëndë”. Tek të pandehurit Gjon Pnishi dhe Avni Sinanaj qëndrojnë elementet se si bashkëkryes kanë kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjës së rëndë, kurse i pandehuri Murat qëndrojnë elementet e vrasjës së rëndë”, tha prokurorja Haxhosaj.

Këtë cilësim juridik, mbrojtësi i të pandehurit Bekim Raja, avokati Sylë Lokaj e konsideroi ndryshim të aktakuzës dhe jo përmirësim të saj, siç tha prokurorja.

Kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu mori vendim që seanca e së enjtes të shtyhet, me qëllim që të pandehurve dhe mbrojtjes t’u jepet kohë për tu deklaruar në lidhje me aktakuzën e përmisuar.

Në anën tjetër, mbrojtësja e të pandehurit Avni Sinanaj, avokatja Kosovare Kelmendi kërkoi nga trupi gjykues që të mbrojturit të saj t’i ndryshohet masa e paraburgimit, sikurse të pandehurit Gjon Pnishi.

Sipas avokates, i mbrojturi i saj akuzohet së bashku me Pnishin dhe kanë cilësim të njëjtë juridik të veprës penale, ndërsa kërkoi ai të mbrohet në liri, duke lënë si dorzani edhe shtëpinë e tij.

Seancat e radhës u caktuan për 11 maj 2021, duke filluar prej orës 13:00 dhe 26 maj 2021, duke filluar prej orës 10:00.

Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës ka anuluar aktgjykimin dënues ndaj Bekim Raja, Murat Sinanaj, Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi të cilët nga Gjykata e Pejës ishin dënuar me 49 vite burgim, vendim ky i vërtetuar nga Apeli.

Gjykata Supreme ka arsyetuar se dispozitivi i aktgjykimit i gjykatës së shkallës së parë është i paqartë dhe në kundërshtim me cilësimin juridik të veprës penale të bashkrimit kriminal.

Sipas Supremes, tek bashkimi kriminal, anëtarët e grupit përgjigjen penalisht për veprat penale që rezultojnë nga plani kriminal edhe nëse nuk kanë marr pjesë drejtpërsëdrejti në kryerjen e veprës konkrete nga plani i kriminal i grupit.

Kurse, për rastin e të pandehurve, Supremja konstaton se veprimet e tyre nuk bëjnë pjesë në kuadër të bashkimit kriminal, por për forma tjera të bashkëpunimit mes të dënuarve për kryerjen e vrasjes.

Supremja në fund ka theksuar se dispozitivi i aktgjykimit duhet të jetë i strukturar ndryshe nga i tanishme, duke u përshkruar ndarasi veprimet e secilit të akuzuar në përputhje me rolin e secilit të pandehur.

“Gjithashtu cilësimi juridik është në kundërshtim me përshkrimin faktik, për faktin se të gjithë janë akuzuar si kryerës të vrasjes, të kryer në kuadër të bashkimit kriminal, ndërsa në përshkrimin e veprës penale, thuhet se i akuzuari B.R. si shtytës ka shtyrë të akuzuarin, Xh.P., në atë mënyrë që të akuzuarit Xh. dhe A., në rolin e ndihmësit e kanë ndihmuar të akuzuarin M. si kryerës për ta vrarë të ndjerin, i cili e ka vrarë të ndjerin e në rrethana të tilla cilësimi juridik i veprës penale, përpos që është në kundërshtim me përshkrimin faktik, ai është edhe i paqartë, ngase nga përshkrimi i veprës penale del se përpos për kryes të vrasjes, kemi të bëjmë me shtytës të vrasjes, ndihmës të vrasjes, mirëpo asnjë nuk është shpallë fajtor, as për shtytje as për ndihmë në vrasje, por si vrasës”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Supremja aktgjykimin e Gjykatës së Apelit e ka konsideruar të kundërligjshëm për faktin se nuk kishte dhënë arsyje për pretendimet ankimore, por ishte mjaftuar me konstatime “ se pretendimet nga ankesa janë të pabazuara” pa një arsyetim të detajuar, se pse pretendimet e tilla ankimore qenkan të pabazuara.

Ndryshe, në korrik të vitit 2020, Gjykata e Apelit e kishte konsideruar të ligjshëm dhe të drejtë vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin të pandehurit Bekim Raja, Murat Sinanaj, Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi ishin dënuar me 49 vite burgim, për vrasjen e tani të ndjerit Ferdinand Gjini.

Ashtu siç kishte vendosur Gjykata e Pejës, edhe Gjykata e Apeli kishte vërtetuar se vrasja e tani të ndjerit Gjini ishte bërë nga hakmarrja e paskrupullt e të akuzuarit Bekim Raja, i cili në cilësinë e shtytësit, përmes të pandehurit Gjon Pnishi, kishte premtuar shumën prej 100 mijë euro, ndërsaëtë pandehurit Murat dhe Avni Sinanaj ishin pajtuar ta realizojnë porosinë e Rajës.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli kishte theksuar se ishte vërtetuar se i pandehuri Gjon Pnishi dhe Bekim Raja ishin takuar në garazhin e dëshmitarit bashkëpunues D1 në Zvicër, ku i pandehuri Raja kishte kërkuar nga Pnishi ta vras tani të ndjerin Gjini, apo të gjejë ndonjë person për ta vrarë të njëjtin.

Sipas Apelit, ishte vërtetuar drejtë gjendja faktike kur i akuzuari Pnishi, pas kthimit në Kosovë, kishte kontaktuar të akuzuarit Sinanaj për kërkesën e të pandehurit Raja, për vrasjen e tani të ndjerit Gjini.

Sipas Apelit, i akuzuari Avni Sinanaj ishte pajtuar që së bashku me të akuzuarin Murat Sinanaj ta realizojnë porosinë e Rajës, ashtu që të akuzuarit Pnishi dhe Avni Sinanaj, në cilësinë e ndihmësit, e kanë ndihmuar të akuzuarin Murat Sinanaj si kryes të vrasjes në realizimin e porosisë së të pandehurit Raja, në cilësinë e shtytësit, i cili ka premtuar shpërblim në shumën prej 100 mijë franga zvicerane.

“Pas kësaj kishin filluar veprimet përgatitore, ashtu që Gjoni kishte filluar të komunikoj shpesh me Ferdinandin derisa i akuzuari Avni duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike të Gjonit kishte filluar që këtij të fundit t’i sigurojë substanca narkotike me qëllim të joshjes, të cilat substanca më pas Ferdinandi i ka shitur. Kjo situatë ka vazhduar deri në ditën kritike, përkatësisht deri më 23 qershor 2016, kur në fshatin Prapaqan-Komuna e Deçanit, Ferdinand Gjini është vrarë nga i akuzuari Murat Sinanaj”, thuhej në aktgjykimin e Apelit.

Apeli kishte arsyetuar se gjendja faktike ishte provuar me provat e administruara, e sidomos nga dëshmia e vëllait të ndjerit Ferdinand, Pashk Gjini, i cili kishte thënë se para vrasjes së të ndjerit, të njëjtit kishin pasur konflikt fizik me të akuzuarin Bekim Raja, përkatësisht përleshje fizike në mes Mark Kqirës, Pashk Gjinit dhe Ferdinand Gjinit kundër Bekim Rajës dhe si rrjedhojë, sipas Apelit, ka ardhur deri tek porosia e vrasjes nga ana e të akuzuarit Raja.

Apeli kishte konstatuar se gjendja faktike ishte vërtetuar edhe nga deklarata e të pandehurit Gjon Pnishi, i cili kishte vërtetuar motivimin e hakmarrjes së Bekim Rajës, motivin për përfitim të dobisë pasurore, ndarjen e roleve për kryerjen e vrasjes dhe takimin me Bekim Rajën.

“Se të akuzuarit e lartcekur e kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar është vërtetuar edhe nga raportet e përgjimit të datës 27.02.20217, lidhur me komunikimet telefonike në mes të akuzuarve Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi të cilët kanë biseduar kryesisht rreth vrasjes; monitorimet telefonike të datës 26.02.2017, të bisedave në mes të akuzuarve Gjon Pnishi dhe Murat Sinanaj me ç’rast i akuzuari Gjon i ka dërguar Muratit mesazh me përmbajtjen “Murat Gjoni jam e kam thirr Avnin as nuk po ma qel, e për ty a fort i keq kesh që i mora 18 vjet e nuk ja përmenda emrin kurrkujt, as me thirr ndonjëherë, me 30 mars e kam shans se nuk më bini mbas me q.. atë nanë se nuk kallxoj krejt për ty të parin se e ki vra, për Bekim Rajën se e ka pagu, për veti se e kam qikën ka më des, ju po bëni hajgare a për veti për dy ditë i keni marrë 50 mijë franga, kush dojnë të mvrajn tanve naj ka pas kana paret, as të Haxhi muti nuk je kan najherë po ju them thirrni ata e të mbijnë mbas””, thuhej në arsyetimin e Apelit.

Tutje, Apeli e kishte arsyetuar vendimin e tij me faktin se nga mbrojtja e të akuzuarit Pnishi ishte vërtetuar takimi me të pandehurin Raja, drekat dhe darkat e bëra në prezencë të dëshmitarit bashkëpunues “D1”, porosia e Rajës drejtuar të akuzuarit Avni Sinanaj për ta kryer vrasjen, si kishte ndikuar avokati Haxhi Çeku tek Pnishi për të mos treguar të vërtetën rreth personave të përfshirë në veprën penale, si dhe premtimi që iu kishte dhënë Gjon Pnishit se deri në ditën e gjykimit do të lirohet.

Apeli kishte konstatuar se gjendja faktike ishte vërtetuar edhe nga dëshmia e dëshmitarit “D1”, i cili ka vërtetuar takimin e Gjon Pnishit me Bekim Rajën, motivin e hakmarrjes që e kishte pasur Raja ndaj të ndjerit, përfitimit pasurore për të pandehurin Pnishi, se të hollat për këtë të fundit i kishte marrë motra dhe djali i motrës në Zvicër dhe se këto para ishin marrë tek dëshmitari bashkëpunues “D1”.

Nga deklarimi i dëshmitarit bashkëpunues, Apeli kishte vërtetuar edhe ndikimin e të pandehurit Raja në dëshmitarin bashkëpunues, i cili pa leje të gjykatës e kishte telefonuar dëshmitarin i cili të nesërmen kishte për të dëshmuar para gjykatë,s ku Raja i kishte thënë atij “ki kujdes çka po fole, mos e ndëgjo babën tënd e as babën tim se ata nuk dinë asgjë, mos e merr në qafë veten, këta nuk kanë kurgjo dhe këtë punë e kena kryer”.

Po ashtu sipas Apelit, i akuzuari Raja i kishte premtuar dëshmitarit bashkëpunues “D1”, me fjalët: ”se ta mbaj familjen dhe unë do të rri mbas e kryej këtë punë”, duke ia cekur se deri në një milion të rri mbas.

Pretendimet e mbrojtësve të të pandehurve, avokatëve Kosovare Kelmendi, Gëzim Kollqaku, Arianit Koci dhe Granit Vokshi, se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të procedurës penale, me arsyetimin se aktgjykimi është i bazuar vetëm në deklaratën e dëshmitarit bashkëpunues dhe të pandehurit Gjon Pnishi, Apeli i kishte konsideruar si të pabazuara.

Mbrojtja e të akuzuarve kishte pretenduar se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar gabimisht gjendjen faktike, duke ia falur besimin dëshmisë së të pandehurit Gjon Pnishi dhe dëshmitarit “D1”. Sipas mbrojtjes deklaratat e tyre ishin trillime dhe nuk gjejnë mbështetje në prova tjera të administruara në shkallën e parë.

“Dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret. Në arsyetimin e aktgjykimit janë dhënë arsye të duhura mbi të gjitha faktet vendimtare të kësaj çështje juridiko penale. Gjykata e shkallës së parë ka bërë vlerësimin e provave në pajtim me nenin 370 par.6 dhe 7 të KPPRK-së. Në mënyrë të plotë ka paraqitur vlerësimet e veta se cilat fakte dhe për çfarë arsyesh i merr si të provuara apo të paprovuara dhe bërë vlerësim të provave kontradiktore. Ka bërë analizën e të gjitha provave të procedura gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me ato ka paraqitur konkludimet e veta, të cilat sit ë drejta, objektive dhe të ligjshme i aprovon edhe Gjykata e Apelit e Kosovës”, thuhej në vendimin e Apelit.

Në fund, Apeli kishte refuzuar ankesën e Prokurorisë së Pejës dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, të cilët kanë kërkuar dënim më të lartë ndaj të akuzuarve, për arsye se Gjykata e Pejës me rastin e dënimit ka marrë parasysh të gjitha rrethanat rëndese dhe lehtësuese të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit .

Sipas Apelit, dënimet e shqiptuara nga Gjykata e Pejës ishin të drejta dhe në harmoni me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarve, rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe pasojës së shkaktuar.

“Si rrethanë veçanërisht lehtësuese për të akuzuarin Gjon Pnishi është marrë fakti se i njëjti ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë për zbardhjen e kësaj çështje juridiko penale, kurse për të akuzuarit tjerë rrethana lehtësuese nuk ka gjetur. Si rrethanë rënduese gjykata e shkallës së parë për të akuzuarit ka marrë për bazë faktin se të njëjtit kanë vepruar në bashkim kriminal”, thuhej në vendimin e Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, me 21 nëntor 2019, i kishte shpallur fajtor të akuzuarit për vrasje me pagesë në Deçan, Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, i akuzuari Murat Sinanaj ishte dënuar me 19 vite burgim, i akuzuari Bekim Raja me 15 vite burgim, i akuzuari Avni Sinanaj me 9 vite burgim, kurse i akuzuari Gjon Pnishi me 6 vite burgim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 korrik 2018 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Bekim Raja akuzohen se në maj të vitit 2012 në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurin Avni dhe Murat Sinanaj, ta kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblim prej një qind mijë franga zvicerane.

Në dispozitivin e aktakuzës përshkruhet se të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj me 23 qershor 2014, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake në mes tyre në mënyrë dinake dhe me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për vete, e mashtrojnë viktimën duke e joshur me substanca narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturën e tij “Passat” nga Gjakova për në drejtim të Deçanit, i përcjell nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Më tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të pandehurit Avni Sinanaj, që të kalojnë nëpër fshatrat Hereq, Gramaqel, Dubrav, Gllogjan, dhe me të arritur tek ura që i lidh fshatrat Llukë e Prapaqan, i pandehuri Murat Sinanaj duke qenë i përgatitur, i zënë pritën, dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Murat Sinaj shtënë me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Fillimisht, në këtë rast ka qenë i akuzuar vetëm Gjon Pnishi, i cili ishte shpallur fajtor për këtë vrasje dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Pejës, në qershor të vitit 2016.

Por, pas këtij dënimi, ai ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat