Kryekuvendari Konjufca ngushëllon familjen Bogujevci

Aktuale

Kryekuvendari Konjufca ngushëllon familjen Bogujevci

Më: 14 maj 2021 Në ora: 10:56
Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, nëpërmjet një telegrami, ka ngushëlluar familjen Bogujevci me rastin e ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare, Ismet Bogujevci.

Telegarami:

E nderuara familje Bogujevci,

Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të artistit tonë të madh, ikonës së muzikës shqiptare, Ismet Bogujevci.

Ndarja nga jeta e zërit që e deshëm aq shumë, do ta lë një zbrazëti të pakompensueshme tek të gjithë ne që u rritëm me këngën e tij.

Madhështia e tij artistike bëri që Ismet Bogujevci të ishte këngëtar i dashur për shumë breza.

Në vitet e '80-ta, kohëra të stuhishme të kthesave të mëdha në Kosovë, me artin dhe këngët e tij patriotike, Ismeti ishte frymëzim për popullin tonë liridashës, e sidomos për rininë studentore.

Ai nuk do të jetë më i pranishëm fizikisht, por do të mbetet i paharruar në mesin tonë me shpirtin e tij të madh fisnik e artistik dhe me trashëgiminë e pashterur artistike që ka lënë pas.

Ismet Bogujevci do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e tij të pamohueshme e të pashlyeshme artistike, si një rrugë e sigurt e vlerave e shtruar me kujdes e pasion të fortë për brezat e ardhshëm.

Bashkëndjejmë dhimbjen e madhe me familjen e nderuar Bogujevci, miqtë, bashkëpunëtorët dhe mbarë komunitetin artistik. Ngushëllime! - thuhet në telegramin e kryekuvendarit Konjufca.​

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat