U tha se dialogu me Serbinë fillon në qershor, reagon BE-ja

Aktuale

U tha se dialogu me Serbinë fillon në qershor, reagon BE-ja

Më: 19 maj 2021 Në ora: 16:54
Peter Stano

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar rifillimin e dialogut me Serbinë gjatë muajit qershor, megjithatë, nga Bashkimi Evropian deklarojnë se data e saktë dhe agjenda e takimit do të shpallen në një kohë më të përshtatshme.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell mbrëmë (e martë) vazhdoi traditën e paraardhësve të tij në BE, duke mbledhur liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Borrell tha se në takim ka pasur “diskutime të hapura strategjike dhe politike mbi të ardhmen e përbashkët”.

Ndërkaq, Kurti në një konferencë për media mbrëmë vonë ka theksuar se mbledhje të ngjashme pritet që të mbahen sërish dhe se e radhës do të zhvillohet në Ballkan.

Kryeministri kosovar tha se dialogu me Serbinë mund të fillojë në mes të muajit qershor.

“Do të jetë diku afër mesit të qershorit nuk mund ta them tani saktësisht, por do të ketë takim se si do të vazhdohet me dialogun dhe se cili duhet të jetë kapitulli i ri këtij dialogu”, tha ai.

Media ka pyetur zëdhënësin e BE-së, Peter Stano se kur pritet të mbahet takimi tjetër mes liderëve të Ballkanit Perëndimor, megjithatë, ai ka thënë se është herët të flitet për një datë.

“Përfaqësuesi i Lartë priti në këtë takim jozyrtar liderët e Ballkanit Perëndimor për ta vazhduar traditën nga e kaluara dhe synon të mbajë takime të tilla rregullisht. Është herët që të spekulohet për një datë të takimit të radhës”, ka thënë ai.

Stano është deklaruar edhe rreth rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, çështje për të cilën theksoi se “BE-ja do ta shpallë datën dhe agjendën në një kohë më të përshtatshme”.

Vlen të përmendet se pavarësisht diskutimeve në media, gjatë kësaj vizite nuk ka pasur një takim të ndarë Kurti-Bërnabiq.

Bërnabiq tha shkurt se me Albin Kurtin nuk ka pasur bisedime të ndara. Ajo shtoi se gjatë darkës “nuk ka pasur provokime” dhe se ata janë përpjekur të bisedojnë për të ardhmen.

Ndryshe, të pranishëm në darkën në Bruksel përveç kryeministrit kosovar kanë qenë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri kroat Andrej Plenkovic dhe udhëheqësi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat