Përfundon Samiti në Vjenë, deklarohet Kurz pas takimit, këtë vendim e mori për Ballkanin

Aktuale

Përfundon Samiti në Vjenë, deklarohet Kurz pas takimit, këtë vendim e mori për Ballkanin

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 11:35
Konferenca per media

(E plotësuar 14:13) - ​Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbisë, Mirosllav Lajçak, pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Vjenë, ka theksuar edhe një herë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm.

“18 vjet pas takimit të Selanikut, ku u shqiptua një deklaratë për të ardhmen e BE-së, ne ndodhemi në një situatë ku vetëm një shtet i Ballkanit Perëndimor është bërë anëtar i BE-se, me Serbinë që s’ka pasur përparime, të tjerët presin dhe dy të tjera shpresojnë ta marrin së shpejti. Kosova ende s’ka liberalizim të vizave, kjo tregon që situata nuk po ecën si duhet. Prandaj është e rëndësishme të nisim një dialog për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Prandaj do të ketë shumë aktivitete këtë vit”, tha Lajçak.

Lajçak tha se do të bëjë maksimumin për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit e shteteve në Bashkimin Evropian.

“Gjashtë partnerë të Ballkanit Perëndimor, kanë perspektivë të qartë për një anëtarësim të ardhshëm. Shpejtësia e procesit varet nga të dyja palët, është e rëndësishme që çdo shtet të ndihet i detyruar ndaj normave të BE-së dhe që është pjesë e zgjidhjes evropiane dhe jo pjesë e problemeve. Unë do të bëj maksimumin për të përshpejtuar këtë proces, kjo ka të bëjë edhe më reformat me shtetet anëtare të ardhshme”, tha ai.

**

Austria ndan një milion vaksina për Ballkanin Perëndimor

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, në një konferencë për media, pas tryezës së përbashkët me liderët e rajonit, në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor, ka bërë të ditur se shteti që ai përfaqëson ka ndarë një million vaksina për qytetarët e këtyre vendeve.

Image

Kancelari Kurz ka thënë se Austria mbetet e përkushtuar që t’i ndihmojë vendet e këtij rajoni në luftën kundër pandemisë.

“Ne kemi dërguar mbi 600 mijë doza për Ballkanin Perëndimor. Dhe si Republikë e Austrisë duam të japim një kontribut duke i vënë në dispozicion 1 milion doza të vaksinës. Do të dërgojmë 1 milion për të mbështetur në luftën kundër pandemisë”, tha Kurz.

Përveç pandemisë, disa nga temat që u diskutuan në Samitin e sotëm ishin lufta e përbashkët kundër migracionit të paligjshëm, perspektiva e BE-së për të gjitha vendet e këtij rajoni dhe mbështetja ekonomike që do t’ju ofrohet këtyre vendeve, pas krizës.

Përveç kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në këtë Samit morën pjesë edhe përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Malit të Zi, ai i Bosnje Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe Belinda Balluku nga Qeveria e Shqipërisë.

Para Samitit, Kurz po ashtu kishte deklaruar se do t’i mbështesin vendet e Ballkanit në rrugën e tyre drejt BE-së. 

***

Tashmë ka filluar në Vjenë Samiti i Ballkanit Perëndimor, ku kancelari federal, Sebastian Kurz, ka pritur krerët e qeverive të këtij rajoni.

Mediat austriake kanë publikuar fotografi nga ky Samit dhe nga pritja që Kurz u ka bërë liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Raportohet se temat kryesore që po diskutohen në këtë Samit janë lufta e përbashkët kundër migracionit të paligjshëm, perspektiva e BE-së për të gjitha vendet e këtij rajoni, lufta kundër pandemisë CoViD-19 dhe mbështetja ekonomike që do t’ju ofrohet këtyre vendeve, pas krizës.

Përveç kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në këtë Samit po marrin pjesë edhe përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Malit të Zi, ai i Bosnje Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe Belinda Balluku nga Qeveria e Shqipërisë.

Kurz, përmes ‘Twitter’ ka bërë të ditur se gjatë Samitit ka falenderuar vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Greqinë për mbrojtjen e kufijve, gjë të cilën po e mbështet edhe Austria me zyrtarë policorë.

“Në Samitin e Ballkanit Perëndimor, e riafirmojmë luftën e përbashkët kundër migracionit ilegal. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos para verës”, shkroi ai tutje.

Sipas të dhënave të Kancelarisë Federale në Vjenë, rreth 80 mijë migrantë të paligjshëm janë aktualisht në Greqi dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në një artikull të publikuar nga mediat austriake, përmendet një deklaratë e ministrit të brendshëm austriak, Karl Nehammer, i cili tha “ne kemi hartuar një plan gjithëpërfshirës të riatdhesimit dhe po ndihmojmë shtetet e Ballkanit për të organizuar riatdhesimet, sepse një pjesë e madhe e njerëzve që po qëndrojnë aktualisht atje nuk kanë të drejtë azili në Evropë”, tha Nehammer para Samitit.

Përveç migracionit të paligjshëm, kancelari austriak, Sebastian Kurz, foli edhe për tema të tjera të rëndësishme, që i shqetësojnë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne do t’i mbështesim totalisht këto vende në rrugën e tyre për në BE dhe në luftën kundër pandemisë. Vitin e kaluar, për fat të keq, BE i pati kushtuar pak vëmendje afrimit të këtij rajoni kaq të rëndësishëm”, deklaroi ai.

Sa i përket luftës kundër CoViD-19, Kurz përmendi koordinimin që Austria po i bën 651 mijë dozave të vaksinës BioNTech/Pfizer, të cilat ndahen nga BE për Ballkanin Perëndimor. 

***

Sot, në Vjenë do të mbahet Samiti i radhës për Ballkanin Perëndimor, në të cilin po marrin pjesë përfaqësues të vendeve të rajonit, përfshirë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Nikoqir i Samitit të sotëm do të jetë kancelari austriak, Sebastian Kurz, i cili në llogarinë e tij në ‘Twitter’ ka bërë të ditur se pjesëmarrës në këtë ngjarje do të jenë edhe: përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, Belinda Belluku nga Qeveria e Shqipërisë dhe Zoran Tegeltija nga Bosnja dhe Hercegovina.

Kruz ka shkruar se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Evropa nuk mund të jetë e plotë derisa të bëhen pjesë e saj vendet e Ballkanit Perëndimor. Ju mund të llogarisni në mbështetjen tonë të plotë në luftimin e reformave të kërkuara dhe luftimin e pandemisë CoViD-19. Këtë do ta theksojmë edhe sot në Samitin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar kancelari austriak.

Tutje, ai ka thënë se bashkë me vendet pjesëmarrëse të Samitit të sotëm, do të zotohen në luftimin e migrimit ilegal.

“Do doja t’i falenderoja vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Greqinë për mbrojtjen e kufijve, gjë të cilën po e mbështet edhe Austria me zyrtarë policorë. Në Samitin e Ballkanit Perëndimor, e riafirmojmë luftën e përbashkët kundër migracionit ilegal. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos para verës”.

Liderët e Ballkanit Perëndimor, gjatë javës së kaluar, ishin mbledhur në Shqipëri, në kuadër të Samitit të Tiranës, pjesë e të cilit ishte edhe komisioneri evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Vehrelyi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat