(E plotësuar 16:51) - Qeveria e Kosovës ka miratuar sot masat e reja kundër COVID-19.
Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë e cila po udhëhiqet nga zv/kryeministri Besnik Bislimi.
Ndonëse nuk janë bërë të ditura masat që janë lehtësuar, ato janë raportuar gjatë kësaj jave në media.
Të njëjtat kanë të bëjnë me zgjatjen e orarit të gastronomisë deri në orën 01:00, përfshirë dasmat dhe klubet e natës.
Po ashtu, dasmat do të lejohen deri në 300 persona.
Masat e plota të miratuara sot do të bëhen më vonë publike nga Ministria e Shëndetësisë.
Miratohet pakoja për ringjallje ekonomike
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka treguar se pako e Ringjalljes Ekonomike kap një vlerë prej 423 milionë euro.
“Shuma totale kap vlerën 423 milionë euro. Kjo pako përbëhet nga pesë grupe të masave ku një prej tyre është mbështetja e punësimit me vlerë prej 50 milionë eurove. Përmes kësaj pako synohet rritja dhe zhvillimi ekonomik i vendit.

Sa i përket kritereve për ndarjen e këtyre masave do të bëjmë me vendime të veçanta”, është shprehur ai.
Kjo pikë është aprovuar në mbledhjen e Qeverisë.
Miratohet propozimi i Kurtit, Hoti emërohet kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime për të zhdukurit
Ish-deputeti i PDK-së, Andin Hoti, djali i veprimtarit shqiptar, Ukshin Hoti, është emëruar kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë në çështjen e personave të zhdukur.
Para pak ditësh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e emëroi Hotin në pozitën e kryesuesit të Komisionit Qendror për Persona të Zhdukur.
Përmes një njoftimi për media, zyra e kryeministrit tha se “obligim i yni si Qeveri që të bëjmë më të mirën e mundshme për t’ua zbutur këtë gjendje duke u angazhuar më shumë për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre”.
“Çështja e personave të zhdukur është një nga çështjet prioritare të Qeverisë së Kosovës, dhe emërimi i sotëm tregon që kjo temë shkon përtej politikës. Dhimbja dhe ankthi me të cilën familjet përballen që 23 vite, rritet çdo ditë e më shumë. Për Qeverinë e Kosovës është e rëndësishme që të kemi një front të përbashkuar karshi Serbisë, në kërkesat tona për ballafaqim me të kaluarën”, është thënë një në njoftim.
Qeveria ia dërgon Kuvendit të Kosovës propozimet për anëtarë të OSHP-së
Qeveria e Kosovës ia ka dërguar Kuvendit të Kosovës propozimin për kandidatët për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues Të Prokurimit.
Kërkesën për propozim e ka prezantuar zv.kryeministri Besnik Bislimi, por nuk i tregoi emrat e propozuar.
OSHP-ja ka mbetur pa bord qysh nga fundi i muajit mars.
Institucionet në këtë kohë s’kanë guxuar të nënshkruajnë tenderë për të cilët ka ankesa derisa të zgjidhen anëtarët e rinj.
Ndahen 150 mijë euro për Deçanin
Janë ndarë 150 mijë eurove për euro për trajtimin dhe rregullimin e ujësjellësit për fshatrat në komunën e Deçanit.
Udhëheqësi i mbledhjes së Qeverisë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se të gjitha institucionet përgjegjëse janë mobilizuar për t’iu dal në ndihmë qytetarëve të Deçanit.
“Lidhur me rastin e komunës së Deçanit bashkëndjejmë helmimin e qytetarëve dhe dje atje ishin edhe ministrat Gërvalla, Vitia e Mehaj. Kemi siguruar resurset e nevojshme për Qëndron e Mjekësisë Familjare. Gjatë fundjavës janë mobilizuar të gjitha ekipet për katër ditë me radhë. IKShPK-ja vazhdon hulumtimin kë terren. Nga barnatorja e QKUK ka shkuar një kontingjent i barnave për Deçan”.

“Policia e Kosovës është në mbështetje me të njësitë. FSK ka vendosur njësi dhe kapacitete për materie të rrezikshme”.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se do ta procedojnë shumë shpejtë kërkesën.
“Kemi pasë kërkesë që të ndajmë mjete dhe besoj që shumë shpejt do ta procedojmë”.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se disa analiza janë dërguar jashtë vendit.
“Me të bërë listën me materiale për nevojat e pacientëve të prekur menjëherë kemi reaguar. Një pjesë është dërguar dje dhe do të vazhdojmë më dërgime tjera sipas nevojës. Janë bërë disa analiza shtesë dhe janë dalë negative për virozë, kurse disa të tjera të marra sot janë dërguar jashtë vendit për identifikim”.
“Jemi në kontakt me krye e komunës dhe sot ka fluks më të ulët”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se policia është mobilizuar menjëherë në momentin që ka marr informaione për të helmuarit.
“Qysh në momentin e parë policia në Deçan është koordinuar me prokurorinë në Pejës dhe është iniciuar si rast. Në vazhdimësi ne jemi mobilizuar për të asistuar policinë për zbulimin e shkaktarëve”.
Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se kanë ndarë 150 mijë euro për trajtimin dhe rregullimin e ujësjellësit për fshatrat në komunën e Deçanit.
***
Ka nisur mbledhja e Qeverisë së Kosovës.
***
Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot në ora 15:00.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit.
Por ende nuk dihet se cila është tema e diskutimit në këtë mbledhje.
Kryeministri gjendet për vizitë në Greqi.