Vjen reagimi i ashpër ndaj Faton Pecit, Bytyçi tregon pse po mbahen peng dosjet

Aktuale

Vjen reagimi i ashpër ndaj Faton Pecit, Bytyçi tregon pse po mbahen peng dosjet

Nga: P.R Më: 16 korrik 2021 Në ora: 19:13
Faton Peci

Ministri i Bujqësisë i cili vie nga radhët e Listës Guxo, Faton Peci, përmes një postimi në facebook ka reaguar pasi një deputete e PDK-së hodhi kritika për pagën e presidentes, Vjosa Osmani.

Madje Peci ‘kërcënoi’ PDK-në se do t’ua denoncojnë aferat milionëshe.

“Kur zhvatësit e milionave akuzojnë për pagën e ligjshme. Togfjalëshi “gjakderdhje financiare”, të cilën e përdori deputetja e PDK-së kundrejt Presidentes Osmani në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës për pagën e paraparë me ligj, më së shumti i shkon për së shtati këtij subjekti që ka keqqeverisur prej dy dekadash. Nën qeverisjen e këtij subjekti janë avulluar miliona euro, siç janë keqpërdorur paratë e taksapaguesve të këtij vendi në lobim për copëtim e territorit të Kosovës. Presidentja Osmani ka pagë të përcaktuar me ligj, poaq sa e kishte presidenti paraprak që vinte nga partia juaj. Nuk mund të krijoni sensacion me aspekte ligjore, sepse ju e keni krijuar traditën e sensacionit me miliona të keqpërdorur gjatë nën pushtetin tuaj. Anëtarë të partisë suaj tashmë po përballen me aktakuza për keqpërdorim të buxhetit në kontrata milionëshe lobuese për ndarjen e Kosovës. Presidentja nuk ka bërë veprime nepotiste, siç ka ndodhur në të kaluarën, e as nuk po i dërgon familjarët e saj nëpër universitete. Ky diskurs i akuzave në ajër ju bën dëm juve, sepse detyrohemi t`ua radhisim një nga një keqpërdorimin e milionave e aferave në të cilat jeni përfshirë si subjekt e si model qeverisës!”, shkroi Peci, përcjellë “Bota sot”.

E kundër deklarimit të Ministrit Peci ka dal profesor, doktor Enver Bytyçi, sipas të cilit, deklarata e Pecit është kundër shtetit ligjor.

“Faton Peci ka paralajmëruar politikanët në opozitë me një shprehje jo të përshtatshme për shtetin e se drejtës: "Mos na bëni që të denoncojmë publikisht aferat tuaja", ka thënë ai sot. Kjo deklaratë shkon në drejtimin e kundërt me shtetin ligjor të së drejtës në demokraci. Ndërkohë që reflekton faktin se dosje ka, financat publike janë keqpërdorur, por ato dosje mbahen për të marrë peng politikanët opozitarë”, ka shkruar Bytyçi.

Sipas tij, nuk kushtëzohet asnjë shkelje ligji me heshtjen e opozitës.

“Pavarësisht se opozitarët flasin ose jo, kundërshtojnë ose jo qeverinë, aferat e qeverisjes se politikanëve të kohës së shkuar duhen zbuluar, hetuar, gjykuar dhe ndëshkuar! Nuk kushtëzohet asnjë shkelje ligji me heshtjen e opozitës. Opozita është aty për të folur. Madje edhe ata që janë përfshirë në aferat e dikurshme kanë të drejtë të flasin jo vetëm në parlament, por edhe në bankën e të akuzuarve. Detyra e mazhorancës është të qeverisë dhe mbajë premtimet që ua ka dhënë qytetarëve!”, shkruan profesor Bytyçi, përcjellë “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat