LDK kandidon doktorin e njohur për kryetar të Mitrovicës

Aktuale

LDK kandidon doktorin e njohur për kryetar të Mitrovicës

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 21:39
Lumir Abdixhiku dhe Armend Agolli

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se doktor Armend Agolli do të jetë kandidati i LDK’së për kryetar të Mitrovicës.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Abdixhiku ka bërë të ditur se njëri ndër neurokirurgët më me nam në Kosovë, do të jetë kandidat për të parin e Mitrovicës.

Më poshtë keni postimin e Abdixhikut:

Dr. Armend Agolli, do të jetë kandidati ynë për Mitrovicë!

Një ndër neurokirurgët më me nam të Kosovës, doktori ynë i luftës, doktori ynë i paqes, do t’i prijë garës sonë në ‘Qytetin e Minatorëve’.

I lindur në Mitrovicë, pjesë e një familje të respektuar e patriotike, bashkëshort i Fatmires, baba i Diellzës e Dionisit, Armendi ka kaluar një jetë të tërë në shërbim të vendit. Doktori i Koshares kishte shërbyer me dinjitet e përkushtim në orët tona më të vështira. Ishte kujdestar i trimave e trimëreshave tona. Pas luftës, në liri, pasi kreu shërbimin për atdhe, i ishte kthyer specializimit të tij në Suedi, ku bëri emër ndërkombëtarisht. Atje, në Suedi, ju besuan detyra udhëheqëse si pak të tjerëve në Evropë. Këtë arritje gjithmonë e kishte ndarë me vendin e tij, me Kosovë, duke u bërë një ndër doktorët më të kërkuar në vend. Armendi flet pesë gjuhë; përveç shërbimit në Suedi e Kosovë ka shërbyer edhe në Turqi e Shqipëri.

Në Kosovë e Mitrovicë, të gjithë e njohin si një njeri jo vetëm profesionist, por dhe të dashur e me përplot respekt; një udhëheqës modern në secili angazhim të tij. Është koha që përvojën e madhe të tij ta kthejmë në shërbim të qytetarëve në Mitrovicë; qyteti që ka nevojë për transformim rrënjësisht.

Sot Dega e LDK-së në Mitrovicë ka dërguar si propozim emrin e tij. Me kënaqësi shumë e pranoj dhe do t’ia propozojë Kryesisë sonë për aprovim. Jam jashtëzakonisht i lumtur që profile të tilla - emra me nam botërorë / na bashkohen e bashkëudhëtojnë në rrugëtimin e madh për kthimin e LDK-së.

Armend, të priftë e mbara mik!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat