Haziri, Qeverisë: Nëse ju besoni në mbyllje e karantinë, jeni rrast gabim

Aktuale

Haziri, Qeverisë: Nëse ju besoni në mbyllje e karantinë, jeni rrast gabim

Më: 27 gusht 2021 Në ora: 21:11
Lutfi Haziri

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, njëherësh edhe nënkryetar i LDK’së, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën e menaxhimit të pandemisë, derisa ka dalur kategorikisht kundër një mbylljeje tjetër.

Haziri, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se nuk është koha masave muskulore, por e vaksinimit masiv.

“Nuk është kohë e masave muskulore të kësaj Qeverie, por plani për vaksinim dhe imunizim kolektiv. Ne duam jetë dinamike e zhvillimore për të gjithë dhe imunizimi e garanton këtë. Nëse ju besoni në mbyllje e karantinë, atëherë jeni gabim. Rrast gabim!”, ka shkruar ai.

Reagimi i tij vjen pas lajmërimit nga Ministria e Shëndetësisë për masa të reja të parandalimit të transmetimit të koronavirusit.

Rikthimi i orës policore, reduktimi i kapaciteteve të punës së gastronomisë, shtyrja e vitit të ri shkollor dhe shtimi i punëtorëve shëndetësore dhe inspektorëve, janë disa nga masat që pritet të zyrtarizohen. Që dy ditë rresh, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia po zhvillon takime me përfaqësues të veprimtarive të ndryshme për këto masa.

Nga MSH-ja, konfirmuan se situata me Covid është e rënduar dhe se gjatë kësaj fundjave pritet të vendosen masat e diskutuara.

“Çdo herë para ndërmarrjes së masave apo rishikimit të tyre, Ministria konsultohet me palët e interesit dhe përfaqësuesit e veprimtarive të ndryshme të cilat mund të afektohen nga masat që ndërmirren. Situata sa i përket COVID-19 është shumë e rënduar dhe detyrimisht pritet të ketë masa të reja, me gjasë gjatë kësaj fundjave”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Sot, ministri i Shëndetësisë në vend, Arben Vitia, zhvilloi takim me Asociacionin e Komunave të Kosovës, e ku u vendos për disa masa që pritet të kalojnë për votim në Qeverinë e Kosovës.

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi tha se është propozuar që nga ora 22:00 deri në orën 05:00 të vendoset ora policore e që gastronomia të punoj deri në orën 21:30.

“Mësimi po shtyhet deri më 13 shtator. Gastronomia do të punojë deri në orën 21.30. Ndërsa do të vendoset edhe ora policore nga ora 22:00 deri në 05:00. 1 mijë e 16 punëtorë shëndetësorë dhe inspektorë do të shtohen. Kërkesa e komunave rreth furnizimit me barna do te plotësohet, pra 92 për qind e kërkesave par furnizim do të plotësohen.  Ne si Asociacion kërkuam shtimin e inspektorëve komunal që masat të zbatohen si dhe hapjen e qendrave të reja të vaksinimit, ministri tha se kjo varet prej numrit të  vaksinave. Kërkesa jonë ishte edhe që të bëhet decentralizimi i rekrutimit të personelit shëndetësorë”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat