Ja se sa ditë po qëndrojnë në Kosovë azilkërkuesit

Aktuale

Ja se sa ditë po qëndrojnë në Kosovë azilkërkuesit

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 18:00
Foto ilustrim

Azilkërkuesit në Kosovë qëndrojnë mesatarisht 18 ditë në Kosovë, pasi Kosovën e shfrytëzojnë kryesisht si vend transit për të kaluar në vendet e Bashkimit Evropian, ka bërë të ditur Liridon Neziri, ushtrues detyre i drejtorit në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Neziri ka thënë se vetëm vitin e kaluar, Kosova ka pranuar 1,500 kërkesa për azil, kryesisht nga vendet si Siria, Afganistani, Pakistani, Bangladeshi, Maroko dhe Algjeria.

Sipas tij, nga 1,500 kërkesa, rreth 1,300 janë ndërprerë, pasi azilkërkuesit nuk kanë pritur për trajtimin e kërkesave të tyre, duke e lëshuar Kosovën brenda pak ditësh.

“Sa i përket vitit të kaluar janë mbi 1500 kërkesa për azil dhe ajo çka është interesant, është se shumica prej tyre, Kosova po konsiderohet si vend tranzit, kërkesat për azil ose qëllimi i emigrantëve ilegalë është kalimi në vendet e BE-së, dhe fakti që në Kosovë gjatë vitit 2020. Rreth 1300 kërkesa ka pasur ndërprerje të procedurës pasi ata nuk e kanë pritur trajtimin e kërkesave, e kanë lëshuar territorin e Kosovës para se kërkesat e tyre të trajtohen”, ka thënë Neziri.

Ai ka shtuar se në Kosovë ekziston qendra për akomodimin e azilkërkuesve, të cilat janë të tipit të hapur.

“Është qendra për akomodimin e azilkërkuesve, këto qendra janë të tipit të hapur, nuk ka kufizim të lëvizjes, përveç rrethanave të caktuara me kërkesë të prokurorisë, apo rrethanave të tjera. Ata janë persona të lirë për të lëvizur në tërë Kosovën dhe sigurisht se gjejnë rrugë për të ikur nga Kosova”, ka thënë Neziri.

Sipas tij, Kosova ka aktualisht kapacitet për 500 persona azilkërkues, mirëpo siç ka thënë, po punohet që kapacitetet të shtohen deri në 2,500.

“Ajo që bie në mandatin e departamentit tonë, ne bëjmë edhe planifikimet tona varësisht prej analizave të fluksit të migrantëve. Mesatarja e qëndrimit të tyre në Kosovë për vitin 2021, që i bie 18 ditë, në total të të gjithë migrantëve. Kapacitetet tona janë të planifikuara, nëse kemi fluks të migrantëve ne kemi edhe një plan të reagimit ku përfshihen edhe mekanizma të tjerë. Kemi edhe raste të njohjes ë statusit të refugjatit, deri më tani kemi mbi 100 persona që u është njohur statusi i refugjatit. Statusi i refugjatit është statusi më i avancuar pas shtetësisë së Republikës së Kosovës. Ata persona që marrin këtë status i gëzojnë të gjitha të drejtat, ndërsa akomodimi i tyre. Ata përfshihen në skema sociale, kanë të drejtë edhe të punësimit”, është shprehur Neziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat