Muhaxheri: “Borea” ka mbetur peng i ambicieve të AAK-së për qendër skijimi në Beleg

Aktuale

Muhaxheri: “Borea” ka mbetur peng i ambicieve të AAK-së për qendër skijimi në Beleg

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 22:07
Gazmend Muhaxheri

Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, që e synon edhe një mandat në krye të kësaj komune, ka folur për projektin milionësh për krijimin e një qendre turistike të skijimit “Borea”.

Muhaxheri ka drejtuar akuza të rënda duke thënë se është një zyrtar i ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të cilit nuk ia përmend emrin, që e kanë bllokuar këtë projekt.

“Unë i kam kryer të gjitha veprimet që kanë qenë të nevojshme të kryhen prej kryetarit të komunës. Ka mbetur problem politik vlerësimi i ndikimit në mjedis, sepse me vlerësimin e ndikimit në mjedis operatori mund të fillojë punët. Operatori është ndërkombëtar dhe frikësohet që nuk mund të marrë diçka nëse qeveria nuk ja jep vlerësimin e ndikimit në mjedis”.

“Janë ministri të marra peng prej partive politike të cilat i kanë themeluar. Me një shkresë që iu ka drejtu dikujt i ka thënë ‘Ndalja vlerësimin e ndikimit në mjedis’. Zyrtari ka thënë nuk bën të bëhet se nuk është zonimi i parkut, derisa ministria e Planifikimit Hapësinor ka pasë obligim që ta bëjë zonimin e parkut “Bjeshkët e Nemuna” për tetë vjet. Qysh është e mundur që një kryetar komune që e njeh nga presidentit deri te zyrtari më i vogël nuk mund ta realizojë një projekt madhor në këtë vend? Pyetja është qysh mundet tjetri që nuk e njeh askënd të bëjë diçka? Ky vend është shndërruar në peng të njerëzve që s’e duan këtë vend, por duan të bëjnë pengesa”.

“Iu kam shkru letra ministrit Kuçi edhe Nitaj. I kam shkru edhe Liburn Aliut, që kam menduar që është më profesional se këta se është arkitekt dhe mund ta kuptojë këtë problem, por nuk përgjigjet se thonë le të kryhen zgjedhjet e më pas veprojmë. Këto janë veprimet politike që po i pengojnë proceset”.

“Zgjidhja që i kam kërkuar ministrit është shumë e lehtë. E çon në parlament edhe e miraton zonimin e parkut dhe e çbllokon çdo proces për këtë punë, edhepse nuk është dashur të bëhet kjo pengesë. Vlerësimin e ndikimit në mjedis e ka paguar kompania dhe ministria ka listë të zyrtarëve të certifikuar që e bëjnë vlerësimin e ndikimit në mjedis. Të njëjtit e kanë bërë vlerësimin dhe të gjitha procedurat e tjera i ka kryer kompania dhe përgjigja ka qenë ‘pezullohet kërkesa e juaj deri në afat të pacaktuar’. Në momentin që bëhet zonimi i parkut, ajo është në zonën e tretë dhe aty lejohet ndërtimi”.

Muhaxheri, ka thënë se projekti “Borea” ka mbetur peng i ambicieve të AAK-së për të ndërtuar një qendër të skijimit në Beleg të Deçanit.

“Ata po mendojnë me ndërtu një qendër të skijimit në Beleg të Deçanit. Krejt veprimet i kanë kryer për ta ndërtuar. Ky kryetari që e kanë bashkë me shokët e vet janë duke menduar për ta ndërtuar një qendër të skijimit në Beleg duke menduar që ajo qendër ka me qenë ma e mirë se e jona dhe kjo e jona nuk ka me u ndërtu kurrë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat