Osmani në KS të OKB-së i përgjigjet ministrit serb: Mos na mbajë ligjërata, Kosova e gatshme të ulet në dialog me një qëllim

Aktuale

Osmani në KS të OKB-së i përgjigjet ministrit serb: Mos na mbajë ligjërata, Kosova e gatshme të ulet në dialog me një qëllim

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 17:31
Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë, i ka bërë thirrje Serbisë që të kuptojë realitetin se Kosova e pavarur më s’ka kthim prapa.

Duke folur në kuadër të mbledhjes periodike për situatën në Kosovë, Osmani ka bërë thirrje për pranim të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Osmani po ashtu ka thënë se mandati i UNMIK-ut tani është në kontradiktë me interpretimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën dhe ka bërë thirrje që të vendoset buxheti i dedikuar për të për përdorim më të mirë.

Ajo ka thënë se Kosova është e gatshme të ulet në dialog me qëllimin final për njohje reciproke.

“Kosova gjithmonë ka qenë fqinj paqësor, fqinj i cili nuk i ka përdorur institucionet që të ndërhyjë në institucionet e vendeve të tjera dhe nuk kemi krijuar destabilizim. Fatkeqësisht nuk mund të themi se ky është rasti me Serbinë”, ka thënë ajo.

“Serbia duhet ta kuptojë që realiteti i Kosovës së pavarur kurrë s’do të ndryshojë”, ka vazhduar Osmani.

Osmani më tej ka thënë se Kosova ka zbatuar 90 për qind të Marrëveshjeve së Brukselit, dhe se është Serbia ajo që s’i ka respektuar.

Për aksionet e fundit institucionale në veri, ajo ka demantuar shefin e UNMIK-ut duke thënë se NATO-ja dhe KFOR-i, dhe ambasadat e tjera të QUINT-it kanë qenë në dijeni.

Duke iu përgjigjur ministrit të Jashtëm serb, Osmani i ka thënë atij të mos mbajë ligjërata.

“Ju lutem z.Selakoviq mos na ligjëro neve se si duhet të bëhet implementimi, se kjo nuk do të ishte hera e parë që Serbia injoron marrëveshjet që i nënshkruan dhe nuk i implementon pastaj”, iu drejtua Osmani gjatë fjalimit të saj ministrit të Jashtëm të Serbisë, Nicola Selakoviq.

Luftën kundër krimit të organizuar, Osmani e ka cilësuar luftë që s’ka cak një etni.

Në fjalimin e saj, Osmani ka përmendur edhe storie suksesi nga Kosova duke nisur nga xhudistet e tek filmat që kanë shpërthyer në arenën ndërkombëtare.

Është lavdëruar edhe për procesin e vaksinimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat