Kosovë: Pas zgjedhjeve lokale gjysma e komunave në balotazh

Aktuale

Kosovë: Pas zgjedhjeve lokale gjysma e komunave në balotazh

Më: 18 tetor 2021 Në ora: 09:46
Ilustrim

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zgjedhjet ishin të qeta, me një pjesëmarje rreth 43%. Vetëvendosja e Kurtit nuk fiton asnjë komunë në raundin e parë.

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë u zhvilluan në një atmosferë  demokratike, pa incidente dhe me një pjesëmarrje të kënaqshme. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 43 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, dolën në zgjedhje, një dalje e ngjashme krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017. KQZ-ja thotë se mbi 776 mijë qytetarë votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj të komunave dhe asambletë komunale në 38 komunat e Kosovës. Sipas rezultateve të KQZ-së, së paku në 19 komuna janë shënuar fitore të partive politike që në raundin e parë ndërsa, 18 komuna tjera shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen me 14 nëntor. Rezultati është ende i paqartë në dy komuna. Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit që udhëheq qeverinë, në zgjedhjet e së dielës nuk arriti të fitojë pa balotazh asnjë komunë, por në disa nga to prin në rezultate.

Në bazë të rezultateve paraprake të publikuara në ueb-faqen e KQZ-së, Lista Srpska ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës pesë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dy dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dy. Fitore që në raundin e parë janë shënuar në: Deçan (AAK), Kaçanik (PDK), Mitrovica e Jugut (PDK), Leposaviq (Lista Serbe), Lipjan (LDK), Novobërda (Lista Serbe), Peja (LDK), Shtërpca (Lista Serbe), Suhareka (AAK), Ferizaj (PDK), Zubin Potoku (Lista Serbe), Zveçani (Lista Serbe), Hani i Elezit (PDK), Graçanica (Lista Serbe), Ranillugu (Lista Serbe), Parteshi (Lista Serbe), dhe Mitrovica e Veriut (Lista Serbe), Skenderaj (PDK).

Image

Balotazhi më 14 nëntor

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, i cili do të mbahet më 14 nëntor konkurrente në balotazh do të jenë: Gjakova (AAK-LVV), Rahoveci (AAK-LVV), Gjilani (LVV-LDK), Dragashi (PDK-LDK), Klina (AAK-PDK), Kamenica (PSD-LVV), Podujeva (LVV-LDK), Prishtina (LVV-LDK), Prizreni (LVV-PDK), Vitija (LDK-LVV), Vushtrria (PDK-LDK), Malisheva (Nisma-PDK), Juniku (AAK-LDK), Mamusha (KDTP-KATP), Gllogovc (PDK-DD), Kllokot (Lista Serbe-GI SNS), Istog (LDK-AAK) dhe Shtime (PDK-LVV). Në një komunw në afërsi të Prishtinës Fushë Kosovë, rezultati është ende i paqartë.  Sipas ligjit për zgjedhjet lokale dhe  sistemit të aplikuar zgjedhor, postin e kryetarit të komunës e siguron në raundin e parë kandidati që merr 50 për qind plus një votë, ndërsa nëse kjo nuk arrihet, atëherë organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota.

Lista Serbe: Duam themelimin e Asociacionit

Kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq në një konferencë për media pas fitores së partisë së tij, u shpreh se ata "janë duke luftuar për të zbatuar marrëveshjen për themelimin e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”. "Në qoftë se nuk fillojnë bisedimet për Asociacionin në muajin e ardhshëm, nuk do të ketë më as institucione të Kosovës”, tha Rakiq. Dalja më e madhe e votuesve në zgjedhjet lokale të 17 tetorit është shënuar në katër komunat e banuara më shumicë serbe në veri të Kosovës.

Image

Shoqëria civile: Integriteti i zgjedhjeve i parrezikuar

Koalicioni i organizatave joqeveritare, "Demokracia në Veprim", e cila vazhdimisht monitoron proceset zgjedhore në Kosovë, konstatoi se në zgjedhjet e së dielës nuk ka pasur incidente serioze, që do të mund të komprometonin integritetin apo kredibilitetit zgjedhor. Eugen Cakolli nga DnV, tha se "në zonat rurale ka pasur më shumë shkelje, qoftë të masave kundër koronavirusit, por edhe kanë parë persona që kanë qëndruar pranë qendrave të votimit. Ndërsa në pjesën veriore të vendit, procesi i votimit ka rrjedhur i qetë dhe nuk ka pasur ndonjë incident që do të mund ta cënonte integritetin e procesit zgjedhor”, tha Cakolli. "Karakteristikë e komunave veriore, e në veçanti e Mitrovicës së Veriut është dalja e jashtëzakonshme e qytetarëve në zgjedhje, e cila është të paktën dy fish më e lartë se mesatarja e vendit gjatë pjesës së ditës”, tha Eugen Cakolli nga demokracia në veprim.

Rreth 1.9 milionë qytetarë të Kosovës kishin të drejtë vote, 166 kandidatë të partive politike garuan për kryetar komunash, kurse mbi 5 mijë kandidatë të tjerë, garuan  për deputetë të kuvendeve komunale.

Image

Pjesëmarrje e vëzhguesve ndërkombëtarë

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit u vëzhguan nga rreth 25 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë. 200 vëzhgues ishin nga Bashkimi Evropian dhe ambasadat e vendeve të ndryshme në Kosovë. Mbarëvajtja e procesit u sigurua nga mbi 3 mijë e 300 pjesëtarë të policisë dhe rreth 100 prokurorë e gjykatës. Votimet për zgjedhjet lokale të 17 tetorit u mbajtën në kohë pandemie, ku vendosja e maskave, distanca fizike dhe tubimet e më shumë se 50 personave mbeten në fuqi, ndonëse përgjatë gjithë fushatës njëmujore zgjedhore nuk janë respektuar nga partitë politike. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha se këto zgjedhje janë të rëndësishme për qytetarët Kosovës, dhe ajo bëri thirrje për proces të qetë dhe pjesëmarrje sa më të gjerë në votime. Zgjedhjet lokale të 17 tetorit nga analistët shihen si një sprovë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe lëvizjen Vetëvendosje, parti kjo që  doli fituese në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat