Këshilli Prokurorial i reagon ashpër zv.ministrit të Drejtësisë, jep një paralajmërim për pushtetin ekzekutiv

Aktuale

Këshilli Prokurorial i reagon ashpër zv.ministrit të Drejtësisë, jep një paralajmërim për pushtetin ekzekutiv

Nga: A.ZH Më: 22 tetor 2021 Në ora: 22:17
Blerim Sallahu

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili ka thënë se “ditëve të fundit, po dëshmohet që vet prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale”.

Në reagimin për media, KPK shprehet i shqetësuar me këtë deklaratë të Sallahut, duke e cilësur atë si linçuese dhe tendencioze “me qëllimin dëmtimin e sistemit prokurorial”, përcjell Bota sot.

KPK ka paralajmëruar se nëse pushteti ekzekutiv nuk distancohet nga deklaratat e tilla do të ndërpritet çfarëdo komunikimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional.

Reagimi i plotë:

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), është thellësisht i shqetësuar me deklaratat e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, të bëra përmes një statusi në “Facebook”, ku i quan prokurorët kriminel.

Deklaratat e Zëvendësministrit të Drejtësisë janë linçuese, tendencioze, paragjykuese dhe kanë për qëllim dëmtimin e sistemit prokurorial.

Nëse pushteti ekzekutiv nuk distancohet nga deklaratat e tilla do të ndërpritet çfarëdo komunikimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional.

Ndërkaq, Prokurori i Shtetit siguron opinionin se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media, dhe çfarëdo shkelje eventuale do të këtë reagime ligjore.

Këshilli Prokurorial i Kosovës si organ i pavarur kushtetues nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë interferim nga askush për çfarëdo interesi personal, grupor apo politik të cenojë integritetin e sistemit prokurorial.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat