Vjedhja e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, dy të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

Aktuale

Vjedhja e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, dy të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 11:14
Pamje nga seanca

Të akuzuarit Labinot Gruda dhe Kadri Shala, janë deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në këtë rast, dy të akuzuarit ngarkohen se duke keqpërdorur detyrën zyrtare, i shkaktuan dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Valdet Gashi, të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që iu vihen në barrë.

Ndërsa, i akuzuari Shala ka shtuar se do të lë mundësinë që lidhur me deklarimin e fajësisë të deklarohet në fazat tjera.

“Nëse ka mundësi, lidhur me fajësinë të deklarohem në fazat tjera”, tha i akuzuari.

Meqenëse të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi i rastit, Arben Hoti, i ka njoftuar ata se brenda afatit prej 30 ditësh, kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Gjithashtu, në këtë seancë, gjykatësi Hoti ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Shala, avokatit Osman Hoxha, që të mbrojturit të tij, t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.

Në aktakuzë thuhet se Gruda, akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin K.SH.

Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin L.G, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas PSRK-së, si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve Labinot Grusha dhe Kadri Shala buxhetit të Republikës së Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.

“Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave, të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.”, thuhej në komunikatën e PSRK-së.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat