Anëtarët e KQZ-së përplasen për Ranillugun

Aktuale

Anëtarët e KQZ-së përplasen për Ranillugun

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 13:40
Foto ilustrim KQZ

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) sot ka shpallur rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave që u mbajtën më 17 tetor. Gjatë shpalljes së rezultatit pati polemika mes anëtarëve të KQZ-së nëse duhet të shpallen rezultatet në komunën e Hanit të Elezit dhe Ranillug.

Sipas rezultatit përfundimtar, 17 komuna janë bërë me kryetarë në raundin e parë, kurse 21 të tjera shkojnë në balotazh më 14 nëntor.

Komunat që janë bërë me kryetarë janë: Mitrovica e Jugut ku ka fituar Bedri Hamza nga PDK, Peja me kryetar Gazmend Muhaxherin e LDK-së, Leposaviqi me kryetar Zoran Todiq nga Lista Serbe, Lipjani me Imri Ahmetin e LDK-së, Deçani me Bashkim Ramosaj AAK, Novobërda me Sasa Milosheviq nga Lista Serbe, Skenderaj ku zgjedhjet i ka fituar Fadil Nura nga PDK, komuna e Shtërpcës ku ka fituar Dalibor Jevtiq nga Lista Serbe, Suhareka me kryetar Bali Muharremaj i AAK-së, Ferizaj ku kryetar është zgjedhur Agim Aliu nga PDK-ja, Zubin Potoku me kryetar Srdjan Vuloviq nga Lista Serbe, Zveçani është fituar nga Dragisha Miloviq i Listës Serbe, Graçanica ku ka fituar Liljana Subariq nga Lista Serbe, Ranillugu është fituar nga Katarina Ristiq nga Lista Serbe, Parteshi nga Dragan Petkoviq nga Lista Serbe, Mitrovica Veriore nga Milan Radojeviq i Listës Serbe dhe Hani i Elezit që është fituar nga Mehmet Ballazhi i PDK-së.

Ndërkaq komunat që do të shkojnë në balotazh janë Gjakova, Drenasi, Gjilani, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Fushë Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Podujeva, Prishtina, Prizreni, Shtime, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha, Hani i Elezit dhe Kllokoti.

Anëtarët e KQZ-së shprehën dilemat e tyre lidhur me shpalljen e rezultateve të komunës së Hanit të Elezit, për të cilën procesi është ende në kontest gjyqësor.

Ishte anëtari Alim Rama, i cili tha se nuk është në rregull që të vazhdohet me miratim të rezultatit për këtë komunë.

Rama: Nuk duhet të shpallim rezultatet për komunën e Hanit të Elezit

“Unë mendoj që pasi ankesa është në proces, ne nuk duhet të shpallim rezultatet dhe të vendosim për rezultatin. Askush nuk e kontestoj rezultatin, por është ankesa. Unë jam kundër votimit të rezultatit përderisa nuk kalon afati ligjor”, tha ai.

Por mendim tjetër ndau Arianit Elshani, i cili tha se me këtë votim u hapet rrugë edhe asamblistëve, e nëse ka ndonjë ankesë tjetër tha se mund të ndryshojë rezultatin.

Elshani: Po më duket tendencioze që të ndalet Hani i Elezit nga publikimi i rezultateve

“Po më duket tendencioze tash edhe në këtë mbledhje të ndalet kjo komunë nga publikimi i rezultateve përfundimtare, kur ndoshta në ora 3 apo 4 ne kemi mundur që të gjitha këto t’i shpallim veç e veç. Unë insistoj që kjo të jetë brenda, që çfarëdo vendimi që merr Gjykata Supreme mund të largojë këtë rezultat”, tha Elshani.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se sipas një shkrese nga Gjykata Supreme, rezultati i kësaj komune mund të shpallet ndërkohë që nuk mund të certifikohet.

Radoniqi: Mund të shpallim rezultatin e zgjedhjeve në Han të Elezit

“Nga Gjykata Supreme e kemi një shkresë tjetër, të cilët thonë se ‘Rezultati për Hanin e Elezit nuk mundet të certifikohet’. Pra, ne sot vetëm jemi duke e bërë shpalljen dhe nuk jemi duke certifikuar. Ne nuk dimë a do të parashtrohet ankesa apo jo, po supozojmë që mund të parashtrohet, por ne nuk jemi duke bërë certifikimin. Andaj, unë mendoj që ne mund ta bëjmë shpalljen. Kjo të jep të drejtë ankese 24 orë prej shpalljes”, tha Radoniqi.

Edhe Sami Kurteshi nga Vetëvendosje u shpreh se nuk është i bindur nëse rezultati i komunës së Hanit të Elezit duhet të shpallet apo të certifikohen.

Kurteshi kundërshtoi shpalljen e rezultateve përfundimtare për Ranillug që është fituar nga Katarina Ristiq - Lista Serbe me 100 për qind të votave, për çka dha edhe arsyet e veta.

Kurteshi: Në Ranillug ka pasur presion të Serbisë

“Pa marrë parasysh që këto janë vota të vendosura në kuti, kjo është shenjë e një presioni që ka bërë një shtet, bashkë me një parti në një komunë të caktuar të Republikës të Kosovës. Këtu ka pasur kundërkandidat, dhe nga vetë fjalët e qytetarëve të Ranillugut, ky kundërkandidat është detyruar të tërhiqet me dhunë”, tha Kurteshi.

Ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar Gordana Laban Zuviq, e cila tha se Kurteshi ka fakte, atëherë duhet t’i paraqesë ato në Prokurori.

Zuviq - Kurteshit: Dorëzoni dëshmitë dhe kjo pastaj të hetohet

“I nderuari koleg, unë nuk pajtohem me ju, por nëse ju keni fakte se ka pasur presion, ju e cekët më parë, që ‘kushdo që e hedh gurin të thotë ndaj kujt e ka hedhur gurin’, ju dorëzoni dëshmitë dhe kjo pastaj të hetohet”, tha ajo.

Ndërkaq kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, bëri të ditur se rezultatet e nëntë vendvotimeve në rinumërim, janë dorëzuar dhe janë përfshirë në rezultatin përfundimtar. Sipas tij, rinumërimi tregoi se ka pasur vetëm disa gabime të vogla teknike apo njerëzore.

Ndërsa përshpejtim të shpalljes së rezultateve për asamblenë komunale, kërkoi anëtari i KQZ-së, Florian Dushi.

Partitë politike kanë afat 24 orë të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP lidhur me rezultatet përfundimtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat