Flasin anëtarët e Komisionit për Siguri dhe ekspertët pas kërcënimit të Albin Kurtit

Aktuale

Flasin anëtarët e Komisionit për Siguri dhe ekspertët pas kërcënimit të Albin Kurtit

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 18:09
Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është kërcënuar të mërkurën mbrëma.

Kërcënimi erdhi nga një person me një llogari false, në një faqe të shitblerjes në rrjetin social facebook, ku ai shkruan se është i gatshëm të jap para në këmbim të vrasjes së kryeministrit.

Më pas u mobilizua edhe policia duke shtuar forcat në mbrojtje të kryeministrit Kurti.

Por, ky kërcënim për anëtarin e Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës, Hisen Berisha, i përket paranojave dhe paragjykimeve, ngase siç thotë ai, kryeministri është kërcënuar edhe më herët dhe asnjëherë nuk ka pasur version zyrtarë se a ndodhi ai kërcënim.

“Më herët ka pas edhe një kërcënim ndaj kryeministrit të paktën edhe atëherë është konsideru si kërcënim, edhe më vonë nuk doli asnjë informatë të paktën një version zyrtarë, a mori dikush përgjegjësi për atë kërcënim, a ndodhi vërtetë ai kërcënim. Kështu që po e shoh në nivelin e paranojave apo të paragjykimit, por për këtë janë organet e shtetit”, thotë Berisha.

Ai e sheh edhe të mundshme kërcënimin për shkak të vendimeve e deklaratave, që sipas tij, kryeministri Kurti ka bërë.

“Kjo duhet me u pa edhe në kontekst të zhvillimeve politike në vend, qëndrimet e kryeministrit pas aksionit në veri i ka trimëru edhe deklaratat e mëhershme. Aksioni në veri, degradimi i njësive, dështimi operacional atje, është inkurajues për njerëzit që ende mendojnë negativisht për Kosovën, dhe përfaqësuesit institucional të saj. Si arsye të mundshme të burimit të rrezikut, të gjitha këto munden me stimulu reagimin e dikujt edhe thirrje apo kërcënimin nga dikush”, tha ai.

Jo të rrezikshme, kërcënimin ndaj Kurtit, e konsideron edhe eksperti i sigurisë, Avni Islami.

Por megjithatë, ai thotë se kërcenimet e tilla nuk duhet të neglizhohen.

“Për momentin unë nuk shoh rrezik ndaj kryeministrit, për shkak se po mendoj se thirrja ka qenë publike dhe jo diçka një veprim që mund ta bëjnë, mirëpo asnjëherë nuk duhet të neglizhohet asnjë thirrje për linçim, për vrasje”, tha Islami.

Islami thotë se duhet të angazhohet Agjencia Kosovare për Inteligjencë në mënyrë që të vlerësohen rreziqet.

“Duhet të shtohen jo forcat e policisë, por të angazhohet Agjencia Kosovare për Inteligjencë dhe ajo të merret dhe t’i vlerësojë rreziqet. Policia e Kosovës mund ta parasheh se sa mund të jetë numri i nevojshëm, mirëpo Agjencia Kosovare për Inteligjencë duhet të jetë më aktive në mënyrë që të analizojë dhe të përpunojë, dhe të del me analizë të thuktë, të tregojë sa është i rrezikshëm kryeministri dhe qeveritarët e tjerë të Republikës së Kosovës’, tha ai.

Policia e Kosovës ka treguar për masat që ka ndërmarrë pas kërcënimit që ka marrë në rrjete sociale kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Lidhur me rastin menjëherë janë iniciuar hetimet dhe ato janë duke vazhduar, përderisa bazuar në hetimet e deritanishme dhe vlerësimin e rrezikut, njësia e reagimit të shpejtë është larguar nga lokacioni”, thuhet në komunikatë.

Sot, kryeministri i Kosovës Albini Kurti, ka folur në konferencë për media për kërcënimet që ka marrë nëpërmjet rrjeteve sociale.

Ai tha se nuk ndihet i kërcënuar dhe se nuk e ka ndryshuar agjendën që e kishte të planifikuar, derisa nuk ka dhënë detaje se për çka është kërcënuar dhe nga kush.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat