Paralajmërimet për rritje ekonimike, Pacolli pesimist

Aktuale

Paralajmërimet për rritje ekonimike, Pacolli pesimist

Më: 31 tetor 2021 Në ora: 19:58
Behgjet Pacolli

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR) Behgjet Pacolli është shprehur pesimist rreth paralajmërimeve për rritje ekonomike mbi 7 për qind në Kosovë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Kosova këtë vit ka gjasa të ruajë rritjen e saj ekonomike prej rreth 5 për qind, e cila është mesatarja e dy vjetëve të fundit e arritur falë remitencave të diasporës.

Postimi i plotë:

Lexova që po pretendohet se në Kosovë do të ketë rritje të ekonomike mbi 7% në krahasim me vitin e kaluar.

Vitin e kaluar kemi pasur një stagnim të ekonomisë për shkak të zgjedhjeve, ndryshimit të qeverive dhe pandemisë. Edhe pse ky krahasim nuk mund të jetë krahasim i mirë, prapë se prapë, PËR FAT TË KEQ këtë vit nuk do të ketë rritje ekonomike 7 apo 8 % ashtu si po pretendojnë.

Thjesht, po përmendi disa fakte;

a) Investimet direkte

që ndikojnë në ngritjen e standardit të jetesës, kulturës dhe edukimit të qytetarëve,

b) Investimet në infrastrukturë, si dhe

c) Investimet në progresin teknik

në përgjithësi, që ndikojnë drejtpërdrejti në rritjen e sasisë dhe cilësisë së produkteve të vendit

...janë veprimet kryesore që kushtëzojnë rritjen ekonomike të një vendi.

Nëse këto zbërthehen, tregojnë se:

Këtë vit në Kosovë nuk ka pasur investime të rëndësishme që kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve;

Nuk janë krijuar vende pune në masën e pretenduar,

Nuk ka pasur rritje të pagave ( hyrave)

Nuk ka pasur rritje të pensioneve ( përveç premtimeve për ndonjë ndihmë)

Nuk ka pasur krijime të reja të operatorëve ekonomik,

Nuk ka pasur të hyra shtesë për shtetin (përveç remitancave)

Nga ana tjetër, i gjithë viti 2021 karakterizohet me ngecje të investimeve në infrastrukturë,

Nuk ka pasur ndërtime të reja infrastrukturore (të çfarëdo lloji) apo edhe riparime të dëmeve nga përmbytjet e vitit të kaluar.

Gjithashtu nuk ka asnjë shenjë se ka ndryshime të mëdha në rritjen e PBB-së krahasuar me vitin e kaluar kur ekonomia e vendit filloi të ngecë.

Tendenca për të krijuar narrativën se ka rritje ekonomike (që bazohet në rritjen e çmimeve të produkteve bazë, pa rritur të hyrat) është thjesht një "simulim" (një term i njohur në ekonomi) apo një tendencë për të bindur se ka rritje të produktivitetit... por kjo nuk është rritje reale ekonomike.

Kosova këtë vit ka gjasat të ruajë rritjen ekonomike afër 5%, që është mesatarja e dy vjetëve të fundit edhe atë falë vëllimit të remitencave e jo faktorëve të rëndësishëm që përmenda më lart.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat