Pozicionimi i Arben Vitisë ka qenë strategjikisht i gabuar, Krasniqi numëron 6 arsyet

Aktuale

Pozicionimi i Arben Vitisë ka qenë strategjikisht i gabuar, Krasniqi numëron 6 arsyet

Nga: G.B Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 12:04
Arben Vitia dhe Përparim Rama

Albert Krasniqi nga shoqëria civile, ka thënë se pozicionimi i Arben Vitisë në debatin e mbrëmshëm ka qenë strategjikisht i gabuar.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka renditur arsyet për këtë, derisa ka thënë se ka lejuar që debati të zhvillohet në teren të Përparim Ramës - për zgjidhjet urbane të qytetit, pastaj Vitia forcoi zërat se ai është për projekte të vogla ndërsa Rama për projekte të mëdha, përcjell Bota sot.

Më pas, Krasniqi ka thënë se arsye tjetër ishte se e përqendroi përkrahjen që ka nga Qeveria, ishte kontradiktor, u tregua përjashtues ndaj votuesve jashtë bazës së VV-së dhe e hapi dhe përmbylli debatin duke thënë se humbja e Prishtinës e fuqizon opozitën.

Postimi i tij i plotë:

Pozicionimi i Arben Vitisë në debatin e mbrëmshëm ka qenë strategjikisht i gabuar:

1. Ka lejuar që debati të zhvillohet në teren të Përparim Ramës - për zgjidhjet urbane të qytetit - në vend se ta orientojë në aspektin e shëndetësisë ku mund të dilte më mirë;

2. Duke u munduar të cilësojë programin e Ramës si të pazbatueshëm, forcoi zërat e kritikëve se Vitia është për projekte të vogla kurse Rama për të mëdha;

3. Përparësinë e tij kryesore e përqendroi në përkrahjen që ka nga Qeveria. I vetëdijshëm që prishtinasit tradicionalisht kanë votuar ndryshe, dhe kjo nuk u bën aspak përshtypje;

4. Ishte kontradiktor. Përderisa theksonte se përkrahja nga Qeveria është jetike për suksesin e komunës, përsëriste që mandati i parë i Shpend Ahmetit ka qenë i suksesshëm - përkundër që Qeveria ishte udhëhequr nga një parti tjetër;

5. Në raund të dytë, kur votat e mbështetësve të partive tjera janë përcaktuese, ai u tregua përjashtues ndaj votuesve jashtë bazës së VV-së, votat e të cilëve qartësisht nuk ishin të mjaftueshme për të fituar garën;

6. E hapi dhe përfundoi debatin, duke paraqitur frikën se humbja e Prishtinës e fuqizon opozitën. Andaj, fitorja u duhet për të mbrojtur Qeverinë nga opozita, e jo për ta bërë qytet më të mirë për qytetarët e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat