Ambasadori gjerman këshillon Kosovën për heqjen e vizave

Aktuale

Ambasadori gjerman këshillon Kosovën për heqjen e vizave

Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 11:34
Pamje nga takimi

(E plotësuar 15:20) - Abazi për vizitën e Grenell: Ka vetëm një marrëdhënie ndërinstitucionale, Biden - Kosovë

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtë dhe Diasporë, Haki Abazi, ka deklaruar sot se Gjermania dëshiron që liberalizimi i vizave të përfundojë sa më shpejt, dhe për këtë, siç ka thënë ai, i ka rekomanduar Kosovës që të angazhohet më shumë te vendet skeptike. Ndërkohë që tha se pret zhvillime pozitive për vizat pas zgjedhjeve në Francë.

Pas takimit me ambasadorin e Gjermanisë Jorn Rohde, Abazi tha se kanë diskutuar për bashkëpunimin e ndërsjellët të të dyja shteteve.

Abazi: Gjermania e përkushtuar për liberalizim të vizave, presim zhvillime pozitive pas zgjedhjeve në Francë

“Përkushtimi dhe interesimi i Gjermanisë është që ky proces të përfundojë sa më shpejt që është e mundur. Shumica e vendeve të BE-së janë pro dhe konsiderojnë që të gjitha kushtet janë përmbushur, mirëpo edhe rekomandimi i ambasadorit ishte që angazhimi jonë drejt vendeve skeptike të jetë i drejtpërdrejtë meqë aty nevojitet angazhim i përbashkët... Ne presim pa e rënduar aspektin e pritjes së gjatë që qytetarët e Kosovës kanë pasur lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, por presim zhvillime pozitive e përfundim të këtij procesi pas zgjedhjeve në Francë”, tha ai.

Abazi tha se mjedisi investiv duhet të vazhdojë të përmirësohet, sidomos në luftën kundër korrupsionit, pasi që është një ndër faktorët më me rëndësi për klimën e të bërit biznes, e që siç tha ai është cekur edhe nga ambasadori që është një parakusht i rëndësishëm për investitorët.

Ai tha se me ambasadorin Rohde kanë folur edhe për dialogun me Serbinë.

Abazi: Inkurajimi i Rohde ishte që dialogu me Serbinë të jetë sa më konstruktiv

“Çështja e dialogut me Serbinë ishte temë e diskutimit. Inkurajimi nga ambasadori ishte që ky dialog të bëhet në mënyrën më konstruktive të mundshme, siç bëhet ndërmjet fqinjëve kudo në BE. Insistimi nga ana jonë është që ky dialog të mos jetë formë e format për ta mbajtur peng procesin e zhvillimit të brendshëm të Kosovës, siç është përdorur nga Serbia në të kaluarën. Dhe, një kërkesë që ne si Komision vazhdojmë ta bëjmë është që Kosova të mos shihet e të mos matet në progresin e saj vetëm përmes dialogut, por të jenë pjesë të ndara, sepse shpeshherë dialogu është bërë kurth për Kosovën dhe qytetarët e saj”, tha Abazi.

Ai komentoi edhe vizitën e djeshme në Kosovë të ish-emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun.

Abazi: Ka vetëm një marrëdhënie ndërinstitucionale, Biden – Kosovë

“Ka vetëm një marrëdhënie ndërinstitucionale, e ajo është Biden, që është i zgjedhur president i SHBA-së dhe institucioneve të Kosovës. Të gjithë të tjerët janë të mirëseardhur për vizitat dhe shfaqjen e interesit të tyre si qytetarë të rëndomtë të shtetit prej nga vijnë ata”, tha Abazi.

Abazi tha se me ambasadorin gjerman nuk kanë folur për çështjen e asociacionit të komunave serbe.

***

Ka përfunduar takimi i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë me ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, ku është diskutuar për liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë.

Kryetari i komisionit, Haki Abazi në një konferencë për media, tha se ambasadori gjerman ka kërkuar që dialogu me Serbinë të jetë sa më konstruktiv që është e mundur. Ndërkohë shtoi se Gjermania është e interesuar që çështja e liberalizimit të vizave të përfundojë sa më shpëntë që është e mundur.

Lidhur me këtë, Abazi tha se ambasadori gjerman i ka rekomanduar Kosovës që të angazhohet më shumë te vendet që janë skeptike.

“Liberalizimi i vizave është një ndër temat për të cilat diskutuam bashkë. Interesimi i Gjermanisë është që kjo të përfundojë sa më shpejt që është e mundur, shumica e vendeve janë pro. Mirëpo ishte edhe rekomandimi i ambasadorit që të angazhohemi më shumë te vendet që janë skeptike. Temë tjetër të cilën e mbuluam së bashku janë investimet tjera nga kompanitë gjermane. Mjedisi investiv duhet të vazhdojë të përmirësohet, sidomos në luftën kundër korrupsionit. U veçua në mënyrë eksplicite numri i lartë i gjermanfolësve”, tha ai.

Ai tha se dialogu duhet të kthehet në çështje të ndërsjellta mes Kosovës dhe Serbisë, e jo për çështje të brendshme të Kosovës, siç e ka keqpërdorur Serbia.

“Çështja e dialogut me Serbinë ishte temë e diskutimit. Ambasadori kërkoi që ky dialog të bëhet në mënyrën më konstruktive të mundshme. Insistimi jonë ishte që ky dialog të mos përdoret për ta mbajtur peng integrimin e Kosovës, siç e ka mbajtur në të kaluarën. Interesimi jonë është që dialogu të mos ndikojë në aspektet tjera, pasi që Serbia e ka përdorur dialogun për ta prolonguar procesin e integrimit të Kosovës”, u shpreh ai.

Abazi komentoi edhe vizitën e Grenellit në Kosovë:

“Z. GRENELL është i mirëseardhur në Kosovë dhe në rajon, por nga aspekti institucional ai ka përgjegjësi tjera. Ka vetëm një marrëdhënie institucionale, ajo mes administratës Biden dhe Qeverisë së Kosovës”, tha ai.

Liberalizimi i vizave, mbledhja e Komisionit ku po merr pjesë ambasadori gjerman i mbyllur për medie

Ka nisur mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë me ambasadorin e Gjermanisë Jörn Rohde.

Në këtë mbledhje do të diskutohet lidhur me liberalizimin e vizave.

Mirëpo mbledhja e komisionit po mbahet me dyer të mbyllura për medie.

Image

Ndërsa pas përfundimit pritet të ketë konferencë për media.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat