​Projektbuxheti për 2022 kritikohet nga opozita, Hoti: Mund të falimenton RTK-ja me shkurtimin e buxhetit

Aktuale

​Projektbuxheti për 2022 kritikohet nga opozita, Hoti: Mund të falimenton RTK-ja me shkurtimin e buxhetit

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 12:49
Komisoni për Buxhet

Ndonëse pati kritika dhe kundërshtime nga deputetët e opozitës, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere më shumicë votash të mërkurën ka miratuar në lexim të parë projektbuxhetin për vitin 2022.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë prezantimit të projektbuxhetit për 2022, i cili parashihet të jetë 2. 7 miliardë 748 milionë euro, ka treguar për mënyrën e mbushjes dhe ndarjes së buxhetit.

Derisa ka thënë se përveç rritjes së buxhetit për disa dikastere, është paraparë vazhdimi i programit të Ringjalljes Ekonomike meqenëse ekonomia e vendit ende ka nevojë për mbështetje.

Murati: Ka rritje të buxhetit për shumicën e dikastereve, vazhdojmë me ringjalljen ekonomike

“Projektligji I buxhetit për vitin 2022 parash një buxhet të përgjithshëm në vlerën prej 2 miliardë e 748 milionë euro si shpenzime, kurse projeksioni për të hyrat është 2 miliardë e 364 milionë, ku shumica janë të hyra tatimore 2 miliardë e 103 milionë… Sa I përket deficitit dhe borxhit publik kemi një ngadalësim të ritmit për sa i përket deficitit… Sa I përket risive që parashihen me këtë projektligj, përveç rritjes pothuajse në të gjitha kategoritë për shumicën e dikastereve qeveritare, ka edhe disa risi të tjera është paraparë vazhdimi i Programit të Ringjalljes Ekonomike, meqenëse konsiderojmë që ekonomia e vendit ende ka nevojë për mbështetje”, theksoi Murati.

Në anën tjetër opozita ka pasur kritika për projektbuxhetin 2022, për çka kanë thënë se nuk është zhvillimor. Nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku ka pasur vërejtje për projektbuxhetin, të cilin e quajti jo zhvillimor dhe pa vizion.

Deputeti Lushtaku po ashtu ngriti edhe çështjen e rritjes së borxhit publik dhe manipulimi siç tha ai me shifra për rritje ekonomike.

Lushtaku: Një projektbuxhet pa vizion e me borxhe të larta publike nuk garanton zhvillim

“Një projektbuxhet pa vizion e me borxhe të larta publike nuk garanton zhvillim, ministër për më shumë do të jep dëshpërim për fatin e keq të gjithëve. Si opozitë do të abstenojmë për me vazhduar tutje në mes dy leximeve ku do të japim kontributin tonë”, theksoi Lushtaku.

Deputeti Avdullah Hoti nga LDK-ja ngriti çështjen e shkurtimit të buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë, dhe ka pyetur ministrin Murati se a është buxhetuar Ligji për pagat.

Hoti: Çka do ta ndodhë me Ligjin e Pagave, me shkurtimin e buxhetit të RTK-së do të falimentoni këtë medium

“Tek pagat në sektorin publik, cili është projeksioni dhe kur pritni që të miratohet Ligji I pagave, edhe a është buxhetuar rritja e pagave që buron nga ky ligj… Tek ndërmarrjet publike ka pasur nga ana juaj akuza bukur të rënda vazhdimisht për rrjedhje financiare, tash i keni ndal ato rrjedhje apo? I keni ndërruar krejt bordet dhe tash i keni nën kontroll të plotë. Tash kemi prapë një 12 milionë euro subvencione për NP-të. Jeni para për ndërmarrje publike… E keni shkurtuar buxhetin për RTK-në rreth 2 milionë euro. Cili është plan nga do të kompensohet këtë 2 milionë? Dhe nëse e zvogëlojmë këtë ne praktikisht e falimentojmë mediumin publik”, pyet Hoti.

Për këtë ai mori përgjigje nga ministri Murati, se nëse miratohet ky ligj do të mbulojnë me anë të mjeteve nga siç tha ai kontigjenca me 55 milionë euro.

Murati: Nëse miratohet Ligji për pagat, koston do ta mbulojmë nga kontigjenca e Ministrisë

“Sa i përket Ligjit të Pagave, është një kontigjencë që e parasheh, në rast se ka miratim të ligjeve të reja, që mund të kenë kosto buxhetore, kemi paraparë një kontigjencë. Sa i përket suprimimeve nëpër Ministri, por nëse thoni 56 milionë euro shkurtim në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, ju siguroj që është gabim, për shkak se diku 60 milionë euro është I tërë buxheti I Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Murati.

DerisaMurati për shkurtimin e buxhetit të RTK-së tha se rreth 100 punonjës në këtë medium publik marrin paga më shumë se paga e një ministri. Një buxhet i tillë për RTK, ai tha se është i mjaftueshëm.

Murati: Në RTK janë rreth 100 paga të cilat janë më të larta se paga e një ministri

“Ndoshta edhe e dini që në RTK janë rreth 100 paga të cilat janë më të larta se paga e një ministri. Kemi kursime rreth 2 milionë euro nga AKP nga ulja e pagave, që e kemi shfrytëzuar për rekrutime në FSK nga AKP. E njëjta gjë mund të bëhet edhe nga RTK. Nëse RTK i ka 100 persona që marrin me shumë se paga e ministrit, kjo për mua nuk është në rregull. Konsideroj që një buxhet i tillë është më se i mjaftueshëm për RTK-në duke marrë parasysh nivelin e pagave që kemi në vend”, tha ai.

Deputeti Pal Lekaj nga AAK kritikoi ministrin Murati për mos përfshirjen e Ligjit të pagave dhe shkurtimin e buxhetit disa dikastere siç tha ai me rëndësi.

Deputeti Lekaj po ashtu shprehi dyshimin e tij për keqpërdorimin e fondit nga kontigjenca prej 50 milionë euro, i cili nuk përjashtoi mundësinë që viti 2022 të jetë vit zgjedhor.

Derisa plasën të qeshurat nga anëtarë e Komisionit për konstatimin e Lekajt për zgjedhjet.

Lekaj: Nuk përkujtohet që viti tjetër të jetë vit zgjedhor

“Më bëri përshtypja çështja për kontigjencën prej 50 milionë euro që me mbetur si rezervë. Ne praktikat e deritashme nuk kemi pasur diçka të tillë. Unë pajtoj për me mbetur një shumë në kuptimin që ndoshta dikush ka shpenzime më të mëdha, dikush më pak, dhe për mos me mbetur në suficit mirë keni menduar. Por, me ligj në praktikë nuk është kjo, sepse mund ta keqpërdorni. Edhe pse ndoshta nuk do të jetë vit zgjedhor, por nëse ka vit zgjedhor kjo mund të keqpërdoret. Nëse, s’e nuk i dihet. Nëse ka, por nuk e di, nuk po e themi as për shaka. Kjo është diçka që ia vlen të diskutohet në thelb”, tha Lekaj.

Deputeti nga radhët e VV Eman Rrahmani ka thënë se e kupton që pritjet e opozitës janë të mëdha, por shtoi se me anë të këtij buxheti do të ketë trende të rritjes ekonomike dhe zhvillim ekonomik.

Rrahmani: Tregojnë faktet se do të ketë zhvillim ekonomik me këtë buxhet, duhet t’i gëzohemi të gjithë

“Është një fillim I mirë e I mbarë e që do të vazhdohet edhe për vitet e ardhshme. E di që pritjet janë shumë të mëdha sidomos nga opozita që po mundohen që brenda vitit, mirëpo realiteti është ky që të ecim me hapa të sigurt dhe të mos ketë kthim mbrapa. Për zhvillim ekonomik besoj që janë faktet që po tregojnë, rritja ekonomike dhe këtij fakti duhet ti gëzohemi të gjithë”, theksoi Rrahmani.

Ish-ministri i Financave, Hoti ka kërkuar përgjegjësi edhe për shkurtimin e buxhetit projektet kapitale rrugore, atë për Podujevë, Gjilan, derisa kërkoj përgjigje edhe rritjen e pagës minimale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat