Tiranë – Studentët që prej javësh protestojnë kundër qeverisë së Edi Ramës janë organizuar për herë të parë në një strukturë të përbashkët, të quajtur Lëvizja Studentore Kombëtare. Krijimin e saj e shpallën të shtunën në një takim publik në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës.
Sipas vetë organizatorëve, lëvizjes i janë bashkuar deri tani mbi 2 mijë studentë nga 34 universitete të Shqipërisë. Rreth 500 prej tyre kanë marrë pjesë në mbledhjet e para, ndërsa 10 fakultete kanë zgjedhur tashmë delegatët e tyre të përkohshëm.
"Lëvizja Studentore Kombëtare është vijimësi e natyrshme e revoltës qytetare, jo zëvendësim i saj", tha studentja Megi Ibrahimi, e cila e prezantoi lëvizjen.
"Nuk kemi kryetar"
Studentët theksuan se organizimi nuk ka kryetar dhe nuk ka lidhje partiake. Sipas tyre, ai do të mbështetet te pjesëmarrja demokratike, debati i hapur dhe bashkëpunimi me studentët në të gjithë vendin.
"Studentë, thirrja jonë e parë drejtohet për ju! Ky organizim nuk ka kryetar, e as ne nuk jemi të tillë. Ne nuk duam të flasim sot në emrin tuaj, por t'ju ftojmë si shokët tanë të na bashkoheni", tha studenti Emir Leçini.
Lëvizja njoftoi se do të hartojë propozime për diskutim publik, në bashkëpunim me qytetarë, profesionistë, intelektualë dhe mësues. "Reforma e vërtetë nuk matet vetëm nga ndryshimi i emrave në pushtet, por nga cilësia e rregullave që e kufizojnë atë, mbrojnë votën dhe garantojnë llogaridhënien", thuhet në deklaratën e studentëve.
Asnjë tryezë me Ramën
Studentët refuzuan prerazi çdo dialog me kryeministrin Rama. "As tani dhe as në të ardhmen, kjo lëvizje nuk pranon të ulet në tryezë me kryehajdutin e këtij shteti", deklaroi Ibrahimi.
Ata u distancuan edhe nga takimi që kryeministri kishte zhvilluar një ditë më parë me një grup tjetër të rinjsh. Sipas tyre, ata nuk ishin ftuar dhe nuk e njohin atë takim si përfaqësues të organizimit të tyre.
Studentët kërkuan gjithashtu "hetim të pavarur, të paanshëm dhe transparent" për çdo pretendim për përdorim joproporcional të forcës nga policia gjatë protestave.
Emigrimi, shqetësimi kryesor
Një nga temat kryesore të takimit ishte largimi i të rinjve nga vendi. "Rinia shqiptare nuk duhet të zgjedhë më ndërmjet së ardhmes së saj dhe atdheut", tha studenti Bruno Hamza, i cili e lidhi arsimin cilësor, punësimin dhe mundësitë e barabarta me qeverisjen dhe llogaridhënien e institucioneve.
Protestat qytetare në Shqipëri nisën më 31 maj të këtij viti dhe morën hov të ri më 13 tetor, kur iu bashkuan masivisht studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama. Gjatë protestave ka pasur edhe përplasje me policinë, e cila në disa raste ka përdorur autobotet e ujit dhe gaz lotsjellës.