Blerta Deliu-Kodra sqaron deklaratën e saj për kunatin e ministres Haxhiu: Ndjej vërtetë keqardhje!

Aktuale

Blerta Deliu-Kodra sqaron deklaratën e saj për kunatin e ministres Haxhiu: Ndjej vërtetë keqardhje!

Nga: A.M. Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 19:34
Blerta Deliu-Kodra

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra ka reaguar në lidhje me deklaratën e saj, që e bëri në Kuvendin e Kosovës.

Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, se kunati i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.

Ajo në një postim në Facebook u shpreh se nuk ka thënë, as nuk ka menduar që ata janë “terroristë”.

“Ndjej vërtetë keqardhje, që kjo deklaratë e thënë në kontekst të ballafaqimit me shpifjet e Ministres Haxhiu, të mund të ketë lënduar personat në fjalë, familjet e tyre apo çdo kënd tjetër në çfarëdo forme, dhe keqardhja ime është e sinqertë, sepse në asnjë ç’rast nuk ka qenë qëllim i imi, të ketë këso cilësimesh”, tha deputetja e PDK-së, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Të dashur bashkëqytetarë të Kosovës dhe bashkëkombës tanë.

Një seancë e zakonshme që do të duhej të përmbushte misionin legjislativ të Kuvendit, sot u shndërrua në arenë të sulmeve e shpifjeve më të ulta nga Ministrja Albulena Haxhiu, e cila duke dëshmuar në mënyrë konsistente paaftësinë e saj, paturpësisht shfrytëzon besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për ta drejtuar këtë paaftësi si mllef patetik ndaj opozitës, në këtë rast, ndaj meje si deputete e Kuvendit.

Ky pushtet arrogant për nga natyra, tashmë ka marrë formë edhe përmbajtje të hapur, me sulme e shpifje, si mënyra e vetme për t’iu shmangur ballafaqimit të njëmend me fakte e argumente, pikërisht si mënyrë për të amnistuar dështimet dhe paaftësinë.

Në rrethana të këtij diskursi të nxitur nga pushteti, duke u ballafaquar me shpifjet e Ministres Haxhiu, kam cilësuar pa qëllim një rast që ndërlidhë Ministren Haxhiu me familjarë të saj, të cilët nga një entitet i huaj juridik janë akuzuar gjoja për terrorizëm. As nuk kam thënë e as nuk kam menduar dhe as nuk besoj që ata janë “terroristë”.

Ndjej vërtetë keqardhje, që kjo deklaratë e thënë në kontekst të ballafaqimit me shpifjet e Ministres Haxhiu, të mund të ketë lënduar personat në fjalë, familjet e tyre apo çdo kënd tjetër në çfarëdo forme, dhe keqardhja ime është e sinqertë, sepse në asnjë ç’rast nuk ka qenë qëllim i imi, të ketë këso cilësimesh.

Në anën tjetër, përpjekja për ta përdorur këtë diskurs nga reagimet e pushtetit arrogant, si instrument për të bërë çfarëdo cilësimi e ndërlidhje që lëndon kauzën tonë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda këtij konteksti, me mua si politikane dhe deputete, janë irracionalitet.

Unë, para se të jem deputete, i takojë dy familjeve Kodra (Prekaz) dhe Deliu (Rezalle), të cilat kanë kontribuar dhe dhënë shumë për vendin dhe lirinë tonë. Jam e vetëdijshme se kurrë nuk mund t’u dalim hak atyre që kanë dhënë gjithcka për këtë liri.

Përulja dhe respekti shkon për të gjithë ata që nuk kanë kursyer asgjë për liri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat